Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbajti Forumin e gjashtë vjetor për Zhvillimin e Medias
Forumi i gjashtë vjetor për Zhvillimin e Medias, i cili shërben si një platformë dialogu profesional rreth çështjeve të medias mes institucioneve shtetërore, medias dhe shoqërisë civile, përfundoi ditën e sotme në Tiranë. Kjo veprimtari e përvitshme u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri.
Diskutimet gjatë forumit u përqendruan në një gamë të gjerë çështjesh. Mes tyre mund të përmendim mjedisi dhe kushtet e punës të gazetarëve shqiptarë; pasojat e epidemisë së koronavirusit mbi median shqiptare; liria e medias dhe fjala e lirë në vend; legjislacioni i hartuar nga qeveria për rregullimin e medias online; rritja profesionale e gazetarëve shqiptarë; si dhe praktikat më të mira për përmirësimin e komunikimit mes institucioneve shtetërore dhe gazetarëve për të siguruar një qarkullim më cilësor të informacionit dhe për të parandaluar lajmet e rreme.
“Jemi këtu për të ofruar mbështetjen tonë teknike nëpërmjet zbatimit të projekteve tematike që synojnë të përmirësojnë nivelin e profesionalizmit të raportimit, ta bëjnë më transparente pronësinë e medias, të mbështesin median në procesin e vetërregullimit, të rrisin ndërgjegjësimin për sigurinë e grave gazetare, të përmirësojnë punën dhe profesionalizmin e transmetuesit publik”, tha Ambasadori Vincenzo Del Monaco, Kryetari i Prezencës së OSBE-së, në hapje të Forumit.
Forumi u përshëndet edhe nga Ambasadori Luigi Soreca, Kryetari i Delegacionit të Bashkimit Evropian (BE) në Shqipëri; Jutta Gützkow, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë; si dhe Jürgen Heissel, Drejtori i Zyrës së Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias.
Një ceremoni e veçantë u mbajt gjatë Forumit për të shënuar përfundimin e një programi stazhi tremujor pranë transmetuesit publik (RTSH) nga ana e gjashtë studentëve të gazetarisë të Universitetit të Tiranës. Programi i stazhit u zhvillua në kuadrin e projektit “Media në Fokus”, projekt ky i financuar nga BE i cili po zbatohet nga Prezenca e OSBE-së me synim fuqizimin e transmetuesit publik shqiptar (RTSh) dhe Fakultetit të Gazetarisë të Universitetit të Tiranës.
Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Thoma Gëllçi, tha me këtë rast: “Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka luajtur një rol kyç për shndërrimin dhe fuqizimin e transmetuesit publik shqiptar. E vlerësoj pa masë partneritetin mes OSBE-së, BE-së dhe Bashkimit të Transmetuesve Evropianëve (EBU) me synim ofrimin e ndihmës dhe trajnimeve për RTSH. Besoj se falë kësaj ndihme transmetuesi publik do të kthehet në një alternativë të besueshme mediatike në tregun shqiptar të transmetimeve audiovizive”.