Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizon trajnim në fushën e menaxhimit për personelin drejtues të RTSh-së
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një trajnim online në datat 4-10 nëntor 2020 për dhjetë menaxherë të transmetuesit publik të vendit – RTSh, me synim rritjen e aftësive të tyre për drejtimin e kanaleve dhe njësive përkatëse.
Trajnimi u drejtua nga Remy Siegrist, ekspert i Bashkimit të Transmetuesve Evropianë (EBU) për burimet njerëzore e menaxhimin, i cili theksoi rëndësinë e vlerësimit të performancës, menaxhimit të kompetencave, delegimit të detyrave, vendosjes së kapitalit njerëzor në qendër të perfomancës së transmetuesit publik, si dhe kënaqësisë në punë.
Diskutimet gjatë trajnimit u përqendruan në përmirësimin e bashkëveprimit mes menaxherëve dhe personelit në varësi të tyre, veçanërisht në një periudhë plot sfida sikurse situata e tanishme e pandemisë.
Melsi Qirici, Kryeredaktore lajmesh në RTSH 1, u shpreh kështu në lidhje me trajnimin: “Nga pikëpamja njerëzore, trajnimi mu duk shumë bindës. Do të dëshiroja që ai të ndiqej prej trajnimeve të tjera me ide dhe shembuj praktikë, përfshirë këtu mprehtësitë për gjetjen e zgjidhjeve në situatë krize, sa i përket vënies në zbatim të koncepteve dhe teknikave novatore dhe efikase të menaxhimit dhe burimeve njerëzore në vende që kanë transmetues publikë me buxhete të ulëta në dispozicion”.
Trajnimi u zhvillua në kuadrin e projektit “Media në fokus”, projekt ky i financuar nga Bashkimi Evropian i cili po zbatohet nga Prezenca e OSBE-së që nga janari i vitit të kaluar. Qëllimi i këtij projekti është fuqizimi i transmetuesit publik shqiptar (RTSh) përmes rritjes së profesionalizmit të gazetarëve të tij dhe prodhimit të programeve të reja. Po ashtu, projekti në fjalë synon përmirësimin dhe modernizimin e programit akademik të Fakultetit të Gazetarisë të Universitetit të Tiranës. Trajnimet e ardhshme që do të mbahen në kuadrin e këtij projekti do të përqendrohen në gjykimin editorial dhe parimet e medias publike, si dhe në shfrytëzimin e medias sociale dhe rrjeteve sociale për identifikimin dhe mbledhjen e lajmeve.