Prezenca e OSBE-së në Shqipëri fuqizon të rinjtë për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë në komunitetet e tyre
Nëntëdhjetë vajza dhe djem nga disa qytete të Shqipërisë morën pjesë në një sërë seminaresh për fuqizimin e të rinjve, të organizuara nga Prezenca e OSBE-së, nga data 3 deri më 25 shtator 2020. Përmes këtyre takimeve, që u zhvilluan në Shkodër, Mirditë, Përmet, Pogradec dhe Korçë, Prezenca synon t’i ndihmojë të rinjtë të bëhen ndër aktorët kryesorë në identifikimin dhe trajtimin e sfidave të sigurisë në komunitetet e tyre. Po ashtu, Prezenca ka si qëllim edhe forcimin e bashkëpunimit mes komunitetit dhe institucioneve.
Në seminare u diskutua për sfidat e reja të sigurisë për të rinjtë, për parandalimin e radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm, për angazhimin e të rinjve në Këshillat Vendorë të Sigurisë Publike, për rolin dhe përgjegjësinë e oficerëve të sigurisë në shkolla, për ndërmjetësimin dhe zgjidhjen e konflikteve, si edhe për dhunën në familje dhe atë me bazë gjinore në Shqipëri.
“Energjia dhe përkushtimi i të rinjve për çështjet e sigurisë na bënë optimist që ata do të jenë ndër zërat më aktivë për të nxitur bashkëpunimin dhe bashkërendimin ndërmjet institucioneve dhe komunitetit për të përmirësuar sigurinë në komunitet”, tha Brunilda Halili, këshilltare për sigurinë në komunitet në Prezencën e OSBE-së në Shqipëri.
Edhe gjatë vitit 2021, Prezenca e OSBE-së do të vijojë të mbështetë të rinjtë, nga qarqe të ndryshme të vendit, me qëllim ndërgjegjësimin dhe fuqizimin e tyre për të trajtuar çështjet e sigurisë në komunitetet e tyre.