Prezenca e OSBE-së në Shqipëri përmbylli serinë e Forumeve të Shoqërisë Civile me një diskutim mbi sfidat e shoqërisë civile
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri përmbylli sot, më 7 nëntor, me Forumin e Shoqërisë Civile të mbajtur në Korçë, një varg diskutimesh publike të zhvilluara anembanë vendit, si në Shkodër, Durrës dhe Korçë, lidhur me sfidat dhe të ardhmen e shoqërisë civile.
Rreth 50 organizata të shoqërisë civile (OSHC) u përfshinë në veprimtaritë e organizuara me mbështetjen e partnerëve lokalë në këtë fushë, si Qendra Rinore Arka në Shkodër dhe Qendra e Zhvillimit të Shoqërisë Civile në Durrës.
Forumet, të cilat filluan në muajin tetor, patën si pikënisje praktikat e mira të zhvilluara gjatë mbledhjeve të mbajtura vitin e kaluar me organizatat e shoqërisë civile në Krujë, Lezhë dhe Gjirokastër. Përmes këtyre veprimtarive, Prezenca vendosi kontakte me OSHC-të dhe aktivistët e komunitetit në nivel vendor në një varg diskutimesh të fokusuara në kapacitetet dhe aftësitë vepruese të shoqërisë civile jashtë kryeqytetit.
Pjesëmarrësit folën rreth gjendjes së tanishme të shoqërisë civile dhe aktivizmit në përgjithësi, sfidave dhe pengesave me të cilat ato ballafaqohen, si dhe shkëmbyen përvoja e njohuri të vlefshme me synim përmirësimin e bashkëpunimit donatorë-OSHC në nivel vendor e rajonal.
Falë këtij vargu Forumesh u sigurua një pamje më e qartë e gjendjes së OSHC-ve shqiptare në nivelin rajonal dhe kombëtar. Aktorët aktivë dhe shumë të motivuar të shoqërisë civile që merrnin pjesë në to ndanë me Prezencën pikëpamjet e tyre mbi kapacitetet, mundësitë, sfidat dhe shqetësimet e OShC-ve. Pjesëmarrësit diskutuan dhe shkëmbyen mendime mbi programet potenciale dhe mundësitë për ta zhvilluar shoqërinë civile në të gjitha nivelet, si dhe hulumtuan mjetet e mënyrat më të përshtatshme për fuqizimin e aftësive të tyre për të punuar në rrjet në funksion të mbledhjes së fondeve.
Prezenca përpiqet vazhdimisht të kuptojë shqetësimet, aftësitë dhe mundësitë e bashkëpunimit me OShC-të anembanë vendit. Prezenca përpiqet të promovojë dhe mbështesë një mjedis të favorshëm për zhvillimin e shoqërisë civile, në përmbushje të angazhimit të saj të përgjithshëm për një shoqëri civile të fortë dhe aktive në vend.
Forumet i dhanë mundësi Prezencës që të ndante informacione dhe përditësime të rëndësishme me donatorët kryesorë që marrin pjesë në Grupin e Punës për Shoqërinë Civile. Këto gjetje duhet të ndihmojnë për një fokus më të saktë në ndërhyrjet e tyre, veçanërisht sa i përket qasjeve ndaj projekteve dhe programeve.