Prezenca e OSBE-së në Shqipëri punon së bashku me Prokurorinë dhe Policinë e Shtetit për intensifikimin e bashkëpunimit mes Policisë Gjyqësore dhe prokurorëve
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri nënshkroi më 24 qershor marrëveshje bashkëpunimi përkatësisht me Prokurorinë e Rrethit Tiranë dhe Policinë e Shtetit.
Marrëveshjet e bashkëpunimit kanë për synim realizimin e një analize sistemi sa i përket punës së përbashkët, bashkërendimit të veprimtarive dhe shkëmbimit të informacionit mes Policisë Gjyqësore dhe Prokurorëve gjatë kryerjes së procedimeve penale.
Analiza e sistemit është hapi i parë në shqyrtimin e marrëdhënieve mes dy institucioneve që luajnë një rol kyç në procesin e shqyrtimit gjyqësor në luftë kundër krimit: Policia Gjyqësore dhe Prokuroria. Ajo do të përqendrohet në identifikimin e problemeve në procedurat formale dhe praktikat informale në të gjitha fazat e procedimeve penale. Fryti i saj do të jetë një vlerësim paraprak dhe një sërë rekomandimesh për t’i ardhur në ndihmë këtyre dy organeve ligjzbatuese në intensifikimin e bashkëpunimit për hetimin e efektshëm të çështjeve penale, veçanërisht të atyre të lidhura me korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Marrëveshjet e bashkëpunimit u nënshkruan nga Kryetari i Prezencës së OSBE-së, Ambasadori Bernd Borchardt, si dhe përkatësisht nga Kreu i Prokurorisë së Rrethit Tiranë Elizabeta Imeraj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu.
“Shqyrtimi gjyqësor përbën thelbin e drejtësisë, por është një mekanizëm po aq i efektshëm sa edhe procedimet që e fillojnë atë; në rastin e të drejtës penale bashkëpunimi mes prokurorisë dhe policisë gjyqësore përbën themelin e suksesit të tij. Për pasojë, lipset që të punojmë me këto institucione dhe t’i mbështesim, me qëllim që ato të jenë sa më të frytshme në punën e tyre për forcimin e sistemit të drejtësisë penale në Shqipëri”, tha Ambasadori Borchardt.
Prezenca do të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi edhe me pesë Prokurori të tjera rrethesh, me qëllim kryerjen e analizës së sistemit edhe në to. Kështu, Prezenca do të bashkëpunojë me Prokuroritë e Rretheve Durrës, Elbasan, Shkodër, Vlorë, Fier, si dhe me Drejtoritë Rajonale të Policisë së Shtetit për secilin qark. Një partner i rëndësishëm për realizimin e kësaj nisme do të jetë edhe Prokuroria për Krime të Rënda, duke pasur parasysh rolin e rëndësishëm të saj.