Prezenca e OSBE-së dhe ambasada e Zvicrës nënshkruajnë marrëveshje me Shqipërinë për të mbështetur parlamentin dhe edukimin qytetar
Qeveria shqiptare, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe ambasada e Zvicrës nënshkruan, më 18 qershor 2019, një marrëveshje për zbatimin e një projekti për mbështetjen e parlamentit shqiptar dhe të pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje.
Projekti “Mbështetje për parlamentin dhe edukimin qytetar” – i cili do të zbatohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, me fonde zvicerane – do të përqendrohet në rritjen e efektshmërisë së administratës së Kuvendit, përmirësimin e roleve legjislative, përfaqësuese dhe mbikëqyrëse të parlamentit, si dhe në rritjen e marrëdhënieve të qytetarëve me parlamentin.
“Prezenca e OSBE-së ka qenë partnerja më e ngushtë e Kuvendit të Shqipërisë dhe e popullit shqiptar gjatë sfidave të tyre dhe do të vijojë të mbetet një mbështetëse e fortë e institucioneve dhe qytetarëve të Shqipërisë, teksa ata përballojnë detyrat parësore për një demokraci funksionale”, tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt, i cili firmosi marrëveshjen në emër të Prezencës së OSBE-së.
Marrëveshja u nënshkrua edhe nga ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali dhe nga ambasadori zviceran, Adrian Maître, në prani të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit të Shqipërisë, Genc Gjonçaj.
Ministrja Spiropali falënderoi OSBE-në për mbështetjen e saj të pandërprerë për parlamentin shqiptar, si dhe ambasadën zvicerane për kontributin e Zvicrës.
“Kjo marrëveshje është pjesë e strategjisë së Bashkëpunimit Zviceran me Shqipërinë, për sa i përket ndërtimit të institucioneve demokratike, të cilat janë përfaqësuese dhe mirëfunksionuese. Projekti synon të zhvillojë Parlamentin për ta kthyer në një institucion me performancë më të mirë. Projekti ynë është përfshirës për të gjithë aktorët politikë”, tha ambasadori zviceran, Adrian Maître.
Që nga krijimi i saj, Prezenca e OSBE në Shqipëri ka punuar për të promovuar demokratizimin, shtetin e së drejtës, dhe të drejtat e njeriut, si edhe për të konsoliduar institucionet demokratike sipas parimeve, standardeve dhe angazhimeve të OSBE-së. Mbështetja për parlamentin konsiderohet si një përpjekje tejpërshkuese dhe tejprogramatike në mbështetjen që OSBE i jep Shqipërisë, përfshirë në fushat e ligjbërjes, reformën legjislative, procedurat parlamentare dhe forcimin e kapaciteteve, reformën zgjedhore, përfshirjen e qytetarëve, barazinë gjinore dhe promovimin e mirëqeverisjes.
Projekti i ri është pjesë e Strategjisë së Bashkëpunimit Zviceran 2018-2021. Kjo është hera e parë që mbështetja zvicerane shtrihet edhe për organin legjislativ më të lartë në vend. Financimi vjen nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.