Prezenca e OSBE-së në Shqipëri hap ekspozitë, në Tiranë, me punime të nxënësve të artit me temë korrupsionin
Një ekspozitë me punime të nxënësve me temë korrupsionin u hap në Shkollën Artistike “Jordan Misja”, më 10 qershor 2019. Në ekspozitë u paraqitën 30 punimet më të mira nga rreth 70 punimeve të krijuara nga nxënësit e shkolle si pjesë e një konkursi të organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri. Përmes kësaj ekspozite, Prezenca synon të rritë ndërgjegjësimin dhe diskutimet për korrupsionin te të rinjtë dhe publiku.
Prezenca e koncepton artin si një mjet të fuqishëm për rritjen e ndërgjegjësimit, reflektimit dhe reagimit ndaj dukurive të ndryshme. Dy vitet e shkuara, Prezenca organizoi, në bashkëpunim me Universitetin e Arteve, ekspozita-konkurs të ngjashme me temë "ekstremizmin e dhunshëm", "përballjen me të shkuarën" dhe “krimi mjedisor”.
“Korrupsioni është diçka me të cilën ballafaqohemi që në moshë të re, prandaj këtë radhë menduam ta organizojmë konkursin e arteve me artistë të rinj akoma më të rinj”, tha Kryetari i Prezencës, ambasadori Bernd Borchardt, në hapje të ekspozitës.
“Korrupsioni është një nga pikat kryesore të punës të Prezencës së OSBE-së. Shohim me keqardhje që Shqipëria ka pasur përkeqësim në këtë fushë gjatë dy viteve të shkuara. Shqipëria ka shënuar rënie në Indeksin e Transparency International që prej vitit 2016. Dimë që këtë vit janë bërë më shumë përpjekje nga policia, inspektimet dhe nga prokuroria për t’i vënë njerëzit përpara drejtësisë, por kjo është një çështje që kërkon një qasje të shumëanëshme. Njëra nga këto anë është trajtimi i korrupsionit përmes artit”, shtoi Borchardt.
Fitues i çmimit të parë u shpall nxënësi Erlind Fusha, e çmimit të dytë Denajda Hajdari, ndërsa Adelajda Roçi dhe Eljon Alushi morën çmime inkurajuese.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun, deri më 17 qershor 2019, në galerinë e Shkollës Artistike “Jordan Misja”.