Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Sekretariati shqiptar i Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse ndërmarrin përpjekje të përbashkëta për nxitjen e transparencës në nivel vendor
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Sekretariati shqiptar i Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (AlbEITI) nënshkruan më 2 prill 2019 një marrëveshje bashkëpunimi për organizimin e veprimtarive të përbashkëta me synim fuqizimin e kapaciteteve në nivel vendor, nxitjen e transparencës dhe intensifikimin e përpjekjeve kundër korrupsionit në nivel vendor.
Gjatë vitit, Prezenca dhe Sekretariati shqiptar i EITI-t do të do të organizojnë katër veprimtari rajonale, ku do të përfshihen bashkitë e Patosit, Bulqizës, Burrelit, Kukësit, Përrenjasit, Selenicës dhe Mallakastrës. Veprimtaritë do të synojnë rritjen e ndërgjegjësimit të autoriteteve shtetërore, shoqërisë civile, komunitetit vendor the komunitetit të biznesit për nevojën për të shtuar përfitimet publike në zhvillimin e projekteve që prekin burimet natyrore.
“Zhvillimi i burimeve natyrore duhet të shkojë krah për krah me përfitimet e nxjerra nga qeveria, investitorët dhe komuniteti. Ky zhvillim bëhet efikas vetëm me përfshirjen e komuniteteve vendore në të. Mungesa e informimit publik dhe e pjesëmarrjes së komunitetit në projektet zhvillimore krijon pashmangshmërisht mosbesim edhe kur bëhet fjalë për projekte më se të shëndosha,” tha Bernd Borchardt, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, në një takim me Drejtorin e AlbEITI-t, Ardit Kamberi.
Deklarata e OSBE-së mbi Mirëqeverisjen e miratuar në Dublin të Irlandës në vitin 2012 thekson rëndësinë e transparencës si dhe vlerëson veprimtaritë e nismave dhe partneriteteve shumëpalëshe në këtë fushë, siç është për shembull Nisma për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI). Shqipëria u bë pjesë e EITI-t në maj të vitit 2013.