OSBE-ja organizon trajnim në Tiranë për Rrjetin e Errët dhe monedhat virtuale
OSBE-ja organizoi një trajnim njëjavor për profesionistët që punojnë në fushën e drejtësisë penale dhe që u mungon specializim kompjuterik, me qëllim që të marrin njohuri të përgjithshme mbi të gjitha llojet e veprimtarive kriminale që mund ta përdorin internetin si mjet ndihmës. Trajnimi u zhvillua më 12-16 shkurt 2018, në ambientet e Akademisë së Sigurisë në Tiranë.
22 pjesëmarrësit e trajnuar punojnë në institucione të ndryshme të drejtësisë penale të Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, ku, ndër ta, kishte edhe përfaqësues të prokurorive të përgjithshme dhe gjykatave. Trajnimi u zhvillua nga Departamenti i Kërcënimeve Transnacionale të Sekretariatit të OSBE-së - me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe Akademisë së Sigurisë – dhe u realizua në bashkëpunim me Qendrën e EUROPOL-it për Krimin Kibernetik.
Pjesëmarrësit fituan njohuritë bazë rreth rrjetëzimit në internet, enkriptimit dhe teknologjive të anonimizimit, që nevojiten për të kuptuar funksionimin e rrjetit të anonimitetit Tor dhe rutinat kriminale në Rrjetin e Errët, si dhe për të analizuar dhe për të hetuar transaksionet në Bitcoin dhe në kriptomonedha në përgjithësi. Trajnimi u përgatit nga Grupi Evropian i Trajnimit dhe Edukimit për Krimin Kibernetik (ECTEG), ku OSBE-ja është anëtare.
Trajnimi është pjesë e një projekti më të gjerë rajonal të OSBE-së për rritjen e kapaciteteve që vazhdon në muajt e ardhshëm. Ky ishte i dyti trajnim në kuadër të një serie trajnimesh rajonale që trajtojnë aspekte tematike të luftës kundër krimit kibernetik dhe krimeve të mundësuara nga kibernetika. Trajnimi i tretë do të organizohet në fund të shkurtit, me fokus të dhënat e kriminalistikës në kohë reale.
Projekti vjen si nismë e përbashkët ndërmjet Departamentit të Kërcënimeve Tejkombëtare të Sekretariatit të OSBE-së, misioneve të OSBE-së në Evropën Juglindore dhe autoriteteve të vendeve përkatëse. Zbatimi i projektit drejtohet nga Bordi i Koordinimit që përzgjedh dhe cakton pjesëmarrësit për secilin trajnim rajonal. Bordi do të kryejë edhe monitorimin dhe vlerësimin e trajnimeve vendore që vetë përfituesit do t’i organizojnë gjatë fazës së dytë të projektit.