Prezenca e OSBE-së në Shqipëri prezanton nismën Shtigje Rinore në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës për nxitjen e vlerave demokratike mes të rinjve
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri fton kandidatët të aplikojnë për t’u bërë pjesë e nismës Shtigje Rinore, një program që synon nxitjen e vlerave të OSBE-së në lidhje me demokracinë, bashkëpunimin, paqen dhe sigurinë mes të rinjve në Ballkanin Perëndimor.
Kjo nismë do të zhvillohet me pjesëmarrjen e 40 të rinjve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilët do të vinë në Tiranë në datat 13-17 shtator 2017 për të ndjekur një program trajnimi dhe diskutimesh, si dhe aktivitete në natyrë në zonën e Tiranës.
Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë së zhvilluar për prezantimin e kësaj nisme, ceremoni në të cilën merrte pjesë edhe Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Bernd Borchardt, i inkurajoi të rinjtë e rajonit që të bëhen pjesë e kësaj nisme.
“Të rinjtë mund të luajnë një rol të rëndësishëm si faktorë ndryshimi”, tha Ambasadori Borchardt. “Ju ftoj që ta konsideroni këtë nismë të re si një mundësi për të gjetur zgjidhje për sfidat e përbashkëta. Ndaj me ju shpresën dhe ndjesinë e mirë se të gjithë ne mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë së bashku”.
Procesi i aplikimeve online për të marrë pjesë në këtë veprimtari përfundon në datë 13 gusht 2017.
Kjo nismë po realizohet në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, Agjencinë Austriake për Bashkëpunim (ADA) dhe Zyrën Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO). Ajo zhvillohet në kuadrin e veprimtarive të organizuara për të shënuar 20-vjetorin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Media Contact
Andi Balla
National Public Affairs and Reporting Officer
OSCE Presence in Albania
+355-4-223-5993 ext. 232
+355-69-401-0219
[email protected]