Zgjedhjet presidenciale të Maqedonisë së Veriut ishin konkurruese dhe në përgjithësi të organizuara mirë, por të shënuara nga boshllëqe ligjore dhe retorikë negative, thonë vëzhguesit ndërkombëtarë
SHKUP, 25 prill 2024 – Fushata për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut ishte konkurruese dhe liritë themelore, përfshirë lirinë e medias, u respektuan, por fusha të rëndësishme të garës presidenciale që përfshinin rregullat e fushatës, aksesin në media dhe shpërndarjen e fondeve shtetërore nuk janë të rregulluara, duke dëmtuar parimin kyç të sigurisë juridike, thanë vëzhguesit ndërkombëtarë në një deklaratë sot.
Misioni i përbashkët vëzhgues nga Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (APKE) zbuloi se ndërsa kuadri ligjor krijon bazën për zgjedhje demokratike, mbeten boshllëqe të shumta. Në të njëjtën kohë, lidhja midis përkatësisë së partive politike nga njëra anë dhe fondeve të fushatës dhe mundësive të medias nga ana tjetër, rezultoi në një avantazh për kandidatët e lidhur me partitë kryesore në parlament.
"Këto ishin zgjedhje konkurruese që u zhvilluan në një atmosferë paqësore dhe demokratike," tha Xhillian Stirk, e cila drejtoi misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve të ODIHR-së. “Sidoqoftë, retorika gjithnjë e më negative ishte për keqardhje dhe reflektonte fragmentim më të gjerë politik dhe ndarje etnike. Në të njëjtën kohë, boshllëqet në Kodin Zgjedhor dhe miratimi i nxituar i ndryshimeve ligjore nuk adresuan nevojën e kahershme për reforma ligjore. Ekziston nevojë për vullnet më të madh politik për të kapërcyer këto mangësi.”
Rreth 1.8 milionë qytetarë ishin të regjistruar për të votuar në zgjedhjet e djeshme. Pavarësisht organizimit të dy zgjedhjeve në të njëjtën kohë, mungesave të vazhdueshme të stafit dhe mungesës së financimit, administrata zgjedhore përmbushi të gjitha afatet ligjore dhe përgjithësisht gëzoi besimin e publikut. Vëzhguesit në përgjithësi vlerësuan pozitivisht ditën e zgjedhjeve dhe vunë re se procedurat e votimit ishin respektuar në masë të madhe.
Me afrimin e ditës së zgjedhjeve, fushata u bë gjithnjë e më negative si në internet ashtu edhe jashtë saj, duke përfshirë sulme personale dhe kërcënime të herëpashershme. Vëzhguesit vunë re se pas caktimit të datës së zgjedhjeve u shpallën disa projekte të infrastrukturës publike nga zyrtarët, duke çuar potencialisht në keqpërdorim të burimeve publike në lidhje me fushatën.
"Zgjedhjet presidenciale ishin të organizuara mirë dhe kandidatët mund të shpreheshin lirshëm gjatë fushatës, duke i lejuar votuesit të bënin një zgjedhje të informuar," tha Alfred Heer, i cili kryesonte delegacionin e APKE. "Ndërsa fushata zgjedhore për fat të keq u njollos nga retorika e ashpër, kjo nuk ndikoi në atmosferën e përgjithshme në ditën e zgjedhjeve, e cila mbeti e qetë dhe pa incidente të rënda”.
Ndryshimet e fundit ligjore përmirësuan disa pjesë të kornizës së financimit të fushatës, por ato nuk arritën të përmirësonin mangësitë sistemike që së bashku me burimet e kufizuara për organet mbikëqyrëse dhe mangësi të tjera kufizuan ndjeshëm efektivitetin e mbikëqyrjes së financimit të fushatës. U vu re një mungesë e besimit të plotë në efektivitetin e monitorimit dhe llogaridhënies për financat e fushatës.
Ndërsa Maqedonia e Veriut ka një peizazh të larmishëm mediatik dhe liria e medias në përgjithësi respektohet, media online është kryesisht e parregulluar, duke nënvizuar nevojën për reforma të mëtejshme. Transmetuesi publik mbuloi të gjithë kandidatët për president në përputhje me kërkesat ligjore, dhe mediat private paraqitën informacion adekuat për kandidatët për president në përgjithësi. Megjithatë, një numër i konsiderueshëm i portaleve të lajmeve në internet u duk se u krijuan me qëllimin e vetëm për të marrë fonde shtetërore gjatë fushatave zgjedhore dhe, në disa raste, për t'i kanalizuar këto fonde te partitë politike.
Gjithsej 234 vëzhgues nga 33 vende morrën pjesë në vëzhgimin ndërkombëtar të zgjedhjeve në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, nga të cilët 216 ekspertë, vëzhgues afatgjatë dhe afatshkurtër të ODIHR-së dhe 18 nga AKPE.
Për më shumë informacion, ju lutemi kontaktoni:
Katja Andrush, ODIHR: +48 609 522 266 ose [email protected]
Bogdan Torkatoriu, AKPE: [email protected]