ODIHR hap misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve në Shqipëri
Tiranë, 7 prill 2023 – Zyra e OSBE për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) sot hapi një mision vëzhgimi të zgjedhjeve për zgjedhjet vendore të 14 majit në Shqipëri, pas një ftese nga autoritetet kombëtare.
Misioni drejtohet nga Ambasadorja Audrey Glover dhe përbëhet nga një ekip bazë prej 13 ekspertësh me qendër në Tiranë dhe 24 vëzhgues afatgjatë, të cilët do të vendosen në të gjithë vendin nga 13 prilli. Përveç kësaj, ODIHR planifikon të kërkojë nga OSBE 300 vëzhgues afatshkurtër, që të mbërrijnë disa ditë përpara ditës së zgjedhjeve.
Misioni do të vëzhgojë zgjedhjet për pajtueshmërinë e tyre me angazhimet e OSBE-së dhe me detyrimet dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike, si dhe me legjislacionin kombëtar.
Vëzhguesit do të monitorojnë nga afër procesin e regjistrimit të votuesve, aktivitetet e fushatës, punën e administratës zgjedhore dhe organeve përkatëse qeveritare, legjislacionin lidhur me zgjedhjet dhe zbatimin e tij, si dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të lidhura me zgjedhjet. Si pjesë e vëzhgimit, misioni do të monitorojë edhe mbulimin mediatik të fushatës.
Takimet me përfaqësues të shumtë të autoriteteve shtetërore, partive politike, shoqërisë civile, medias dhe komunitetit ndërkombëtar janë pjesë përbërëse e vëzhgimit.
Një raport paraprak do të publikohet për të përditësuar publikun dhe median gjatë procesit të vëzhgimit. Një ditë pas zgjedhjeve, një deklaratë e gjetjeve paraprake do të paraqitet në një konferencë për shtyp dhe ODIHR do të publikojë një raport përfundimtar që do të përmbledhë proçesin e vëzhgimit dhe do të bëjë rekomandime për përmirësime disa muaj pas përfundimit të procesit zgjedhor.
Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri funksionojnë veçmas dhe të pavarura nën mandatet e tyre. Për më shumë informacion mbi aktivitetet e vëzhgimit të zgjedhjeve të ODIHR-it në Shqipëri, ju lutemi vizitoni:https://www.osce.org/odihr/elections/albania
Kontakte për median:
Giovanna Maiola, Analiste per Median në Misionin e Vëzhgimit të Zgjedhjeve: [email protected] ose +355 685840857.
Katya Andrusz, Zëdhënësja e ODIHR: [email protected] ose +48 609 522 266