Administrata zgjedhore dhe puna e medias gjatë fushatave zgjedhore, në fokus të tryezave teknike të mbështetura nga OSBE/ODIHR-i
Administrata zgjedhore dhe puna e medias gjatë fushatave zgjedhore qenë në qendër të diskutimeve, në dy tryeza teknike të mbajtura në Tiranë, përkatësisht më 3 dhe 4 korrik 2018, me mbështetjen e Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) dhe Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Në kuadër të projektit të ODIHR-it “Mbështetje për zgjedhjet në Ballkanin Perëndimor”, tryezat teknike qenë pjesë e ndihmës që ODIHR-i i jep Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore për zbatimin e rekomandimeve për zgjedhjet.
Në takimin e parë ishin të pranishëm 35 pjesëmarrës, 18 gra dhe 17 burra, përfshirë përfaqësues të Komisionit të Posaçëm, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe organizatave të shoqërisë civile, si dhe ekspertë të organizatave ndërkombëtare. Ndër çështjet kyçe që u diskutuan qenë modelet e organeve të menaxhimit të zgjedhjeve dhe trajnimi i anëtarëve të administratës zgjedhore.
Në takimin e dytë ishin të pranishëm 51 pjesëmarrës, 30 burra dhe 21 gra, përfshirë përfaqësues të Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe të Bordit të Monitorimit të Medias. Çështjet kryesore qenë pavarësia editoriale e medias, edhe gjatë fushatave, paanësia në mbulimin e fushatës dhe rritja e kapaciteteve të transmetuesit publik.
“ODIHR-i ka bashkëpunuar ngushtë me Komisionin që nga ngritja e tij, duke e ndihmuar në ndjekjen e rekomandimeve për zgjedhjet”, tha Urdur Gunnarsdottir, Këshilltare e Posaçme e Drejtores së ODIHR-it. “Shpresojmë që këto tryeza teknike të kenë kontribuuar në zhvillimin e diskutimeve për praktikat më të mira dhe standardet ndërkombëtare. Ne tani jemi të gatshëm të mbështesim fazën tjetër të procesit të reformës zgjedhore, edhe duke ofruar këshilla gjatë hartimit të ndryshimeve ligjore.
Ambasadori Bernd Borchardt, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, tha: “Nuk ka dyshim që ekziston nevoja për një reformë të plotë dhe në kohë, e cila do të adresojë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it të tri zgjedhjeve të fundit dhe do të trajtojë çështje kyçe lidhur me zgjedhjet demokratike. Së bashku me ODIHR-in, ne i ofrojmë Kuvendit të Shqipërisë mbështetjen tonë të plotë në përmbushjen e kësaj reforme”.
Projekti “Mbështetje për zgjedhjet në Ballkanin Perëndimor” financohet nga Bashkimi Evropian dhe Agjencia Austriake për Zhvillim. Ai mbështet vendet e Ballkanit Perëndimor në përpjekjet e tyre për të ndjekur rekomandimet e dala nga vëzhgimi i zgjedhjeve, në fusha që kanë të bëjnë me administratën zgjedhore, regjistrimin e zgjedhësve dhe mbulimin mediatik gjatë fushatave zgjedhore.