ODIHR-i hap misionin për vëzhgimin e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut
SHKUP, 7 shtator 2020 – Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) sot e hapi Misionin për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (MVZ) për zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Maqedoninë e Veriut, në përgjigje të ftesës nga autoritetet kombëtare.
Misioni udhëhiqet nga Tana de Zulueta dhe përbëhet nga ekipi kryesor prej 13 ekspertëve të vendosur në Shkup dhe 20 vëzhguesve afatgjatë, të cilët do të shpërndahen në mbarë vendin duke filluar nga 15 shtatori. ODIHR gjithashtu planifikon t'i kërkojë shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së të dërgojnë 250 vëzhgues afatshkurtër, të cilët do të mbërrinin disa ditë para ditës së zgjedhjeve.
Misioni do të vlerësojë se a janë mbajtur zgjedhjet në përputhje me përkushtimet e OSBE-së dhe obligimet dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhjet demokratike, si dhe me legjislacionin kombëtar. Vëzhguesit do t’i shqyrtojnë nga afër aspektet themelore të zgjedhjeve siç janë regjistrimi i votuesve, regjistrimi i kandidatëve, aktivitetet e fushatës dhe financimi i tyre, puna e administratës zgjedhore dhe e organeve përkatëse qeveritare, legjislacioni që ka të bëjë me zgjedhjet dhe zbatimi i tij, si dhe zgjidhja e kontesteve që kanë të bëjnë me zgjedhjet. Misioni po ashtu do ta monitorojë edhe mbulimin mediatik të fushatës.
Po ashtu janë planifikuar edhe takime me përfaqësuesit e autoriteteve shtetërore, partive politike, shoqërisë civile, mediave dhe bashkësisë ndërkombëtare. Misioni i ODIHR-it do të bashkëpunojë ngushtë me autoritetet shëndetësore të Maqedonisë së Veriut dhe do t’i ndjekë të gjitha rregullat që i kanë vendosur ata.
Gjatë periudhës së vëzhgimit do të publikohet një raport i përkohshëm për ta informuar publikun dhe mediat. ODIHR-i do t’i paraqesë gjetjet dhe përfundimet e tij paraprake në një konferencë shtypi një ditë pas zgjedhjeve dhe do ta publikojë raportin e tij përfundimtar mbi vëzhgimin duke përfshirë rekomandimet e mundshme afërsisht dy muaj pas përfundimit të procesit zgjedhor.
Misioni i ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe Misioni i OSBE-së në Shkup veprojnë veçmas dhe në mënyrë të pavarur, në kuadër të mandateve të tyre përkatëse.
Për më shumë informacion mbi aktivitetet e Misionit të ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, ju lutemi vizitoni: https://www.osce.org/odihr/elections/north-macedonia
Kontaktet e mediave:
Kira Kalinina, Analiste për media: [email protected] ose +389 72 443 698,
ose
Katya Andrusz, Zëdhënëse e ODIHR-it: [email protected] ose +48 609 522 266