Të rinj nga Evropa Juglindore hartojnë rekomandime politikash për parandalimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, në Forumin Rinor të organizuar nga OSBE-ja
Nga 21 deri më 24 maj 2024, Sekretariati i OSBE-së, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, mbajti Forumin e Dialogut Rinor të Evropës Juglindore për Parandalimin e Krimit të të Rinjve në Durrës, Shqipëri. Forumi mblodhi rreth 20 të rinj nga Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia me qëllim rritjen e besimit te të rinjtë në rajon.
Veprimtaria shërbeu si një platformë për të rinjtë nga Evropa Juglindore për të identifikuar dhe diskutuar sfidat kryesore të sigurisë në lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin me bashkëmoshatarët e tyre. Diskutimet ndërvepruese çuan në zhvillimin e rekomandimeve dhe ideve konkrete të politikave për rritjen e parandalimit dhe angazhimin e të rinjve në proceset e politikëbërjes në këto fusha. Rekomandimet e politikave iu paraqitën komunitetit të donatorëve, organizatave ndërkombëtare dhe nismave udhëheqëse të shoqërisë civile nga i gjithë rajoni.
“Angazhimi kuptimplotë i zërave të të rinjve në vendimmarrje për parandalimin e krimit të të rinjve është thelbësor për të siguruar që këto të jenë efektive dhe të përshtatura për nevojat e të rinjve”, tha Tedi Dobi, zëvendësministër i Drejtësisë i Shqipërisë.
Rekomandimet e identifikuara nga të rinjtë pjesëmarrës në veprimtari përfshinin nevojën për të rritur përfshirjen e zërave të të rinjve në hartimin dhe zhvillimin e politikave për parandalimin e krimit të të rinjve, rëndësinë e përmirësimit të edukimit formal dhe joformal dhe të përpjekjeve ndërgjegjësuese për krimin e organizuar dhe korrupsionin, dhe veprime për të nxitur të menduarit kritik dhe për të promovuar një kulturë qëndrueshmërie midis të rinjve në të gjithë rajonin. Rinia theksoi se mediat sociale mund të përdoren si një mjet i fuqishëm për të kundërshtuar glorifikimin e krimit në internet, duke shfaqur rrugë alternative ndaj krimit dhe duke nxjerrë në pah modele pozitive. Së fundi, të rinjtë theksuan nevojën për të përfshirë të gjithë sektorët e shoqërisë, edhe shoqërinë civile, në adresimin e shkaqeve rrënjësore të krimit të të rinjve.
Forumi u mbajt si pjesë e projektit shumëvjeçar të OSBE-së “ Përmirësimi i krimit të të rinjve dhe parandalimi i përdorimit të drogës nëpërmjet edukimit mbi ligjshmërinë dhe fushatave ndërgjegjësuese që adresojnë kërcënimet e krimit të organizuar dhe korrupsionit ” dhe u financua nga Italia. Donatorë të tjerë që mbështesin këtë projekt janë Andorra, Finlanda, Gjermania, Norvegjia dhe Polonia.