OSBE-ja organizon trajnim rajonal me organizatat e shoqërisë civile dhe gazetarët për monitorimin dhe hetimin e përdorimit të fondeve publike nëpërmjet të dhënave të hapura
Më 24 dhe 25 nëntor, Zyra e Bashkërenduesit të Veprimtarive Ekonomike dhe Mjedisore të OSBE-së dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri zhvilluan, në Tiranë, një trajnim rajonal dyditor për përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe gazetarë nga Evropa Juglindore. Trajnimi rriti kapacitetet teknike dhe nxiti diskutimet dhe shkëmbimin e njohurive për përdorimin e të dhënave të hapura në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, duke i kushtuar vëmendje të veçantë transparencës dhe mbikëqyrjes së proceseve të prokurimit publik.
Trajnimi u ofroi pjesëmarrësve njohuri lidhur me kornizat përkatëse ligjore dhe të pajtueshmërisë ndërkombëtare, si edhe instrumente praktike të të dhënave të hapura dhe metoda për të analizuar, vizualizuar, përdorur, ripërdorur dhe hulumtuar informacionin e qeverisë në lidhje me vendimet e saj dhe shpenzimet e fondeve publike, si një masë e rëndësishme kundër korrupsionit për të garantuar transparencë dhe efikasitet në funksionet e institucioneve publike.
“E ardhmja e proceseve publike transparente dhe llogaridhënëse qëndron në përgatitjen me përgjegjësi të mjeteve dixhitale që mundësojnë pjesëmarrjen e plotë të të gjitha grupeve, nga të gjitha sferat e shoqërive tona. Roli i organizatave të shoqërisë civile dhe i gazetarëve është thelbësor dhe OSBE-ja mbetet e gatshme t’i mbështesë ata në përmbushjen e kësaj detyre të rëndësishme”, tha Prof. Anita Ramasastry, Përfaqësuese e Posaçme e Kryetarit të Radhës së OSBE-së për Luftën Kundër Korrupsionit.
Kryetarja në Detyrë e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Clarisse Pasztory, theksoi: “Shpresoj dhe besoj se, duke mbledhur folës dhe pjesëmarrës të ndryshëm si ju, bashkë me përfaqësues nga shoqëria civile, media, organizatat ndërkombëtare dhe qeveria, ne do të ndihmojmë për riparimin e mangësive në të dhënat të hapura dhe në rritjen e transparencës. Transparencën, e cila është thelbësore për krijimin e besimit dhe për të luftuar informacionet e pasakta ose të gënjeshtërta dhe besimin, që është thelbësor për qytetarinë aktive”.
Rreth 40 përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, organizatave të shoqërisë civile dhe organet e medias nga Evropa Juglindore folën rreth sfidave të përbashkëta dhe praktikave të mira të punës së tyre.
Trajnimi u organizua si pjesë e buxhetit të unifikuar të Prezencës dhe projektit me fonde jashtëbuxhetore “Promovimi qeverisjes së mirë dhe klimës pozitive të biznesit në rajonin e OSBE-së nëpërmjet dixhitalizimit dhe përdorimit të të dhënave publike”, i cili financohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Polonia.