Zgjedhjet përmbushën shumicën e standardeve ndërkombëtare, përkundër disa sfidave, thonë vëzhguesit në Shkup
SHKUP, 23 mars 2009 – Rrethi i parë i zgjedhjeve të djeshme presidenciale dhe lokale në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë përmbushi shumicën e standardeve ndëkombëtare, edhe pse disa sfida mbeten edhe më tej për t’u zgjidhur, tha misioni ndërkombëtar për vëzhgimin e zgjedhjeve në një deklaratë të publikuar sot (e dhënë në vazhdim).
Zgjedhjet u administruan në mënyrë të mirë dhe pa incidente të dhunshme që njollosën zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar. Dita e zgjedhjeve ishte e qetë dhe procesi i votimit në përgjithësi u menaxhua në mënyrë të mirë, edhe pse pati parregullësi procedurale dhe procesi i numërimit të votave u vlerësua si më pak pozitiv.
Autoritetet dhe liderët e partive politike bënë përpjekje të përbashkëta për të siguruar që zgjedhjet të mbahen në atmosferë të qetë. Zgjedhjet u paraprinë me një fushatë intenzive dhe tejet të dukshme, me një numër të madh kandidatësh dhe partish duke siguruar kështu zgjedhje të vërtetë për votuesit. Megjithatë, vëzhguesit kanë vënë re që deri në një masë të caktuar vazhdon të ekzistojë mosbesim, siç u demonstrua nga një sërë pohimesh shqetësuese për presion apo frikësim në lidhje me zgjedhjet, ku cak i veçantë ishin punonjësit e sektorit publik gjatë periudhës para-zgjedhore.
“Është kënaqësi për mua të shoh që ky vend ka bërë një sërë hapash në rrugën e demokracisë dhe që është kthyer në të pas përsëritjes së zgjedhjeve verën e kaluar. Parregullsitë dhe mungesa e besimit – që duhet të zgjidhen – por nuk ekziston asnjë dyshim që ju keni bërë progres në zbatimin e zgjedhjeve sipas standardeve ndërkombëtare,” tha Nënkryetari i AP të OSBE-së, Pia Kristmas-Myller, Koordinator special i vëzhguesve afatshkurtër të OSBE-së.
“Autoritetet dhe aktorët kryesorë politik mësuan lekcione pozitive nga zgjedhjet parlamentare të qershorit 2008. Siguria gjatë kësaj fushate zgjedhore dhe në ditën e zgjedhjeve u përmirësua në masë të madhe. Është e qartë që këto zgjedhje presidenciale shënuan progres në rindërtimin e besimit të qytetarëve përmes një procesi demokratik” tha Marieta dë Purbe-Lëndën, Shef i Delegacionit të APKE.
“Rrethi i parë, edhe përkundër disa çështjeve brengosëse, përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara. Ne do të ndjekim nga afër progresin e mëtejshëm në rrethin e dytë,” tha Pitër Ajker, Shef i misionit ndërkombëtar të OSBE/ODIHR-së për vëzhgimin e zgjedhjeve.
“Mirëpresim dhe përshëndesim faktin që zgjedhjet lokale u zbatuan në pajtim me shumicën e standardeve Evropiane, por me keqardhje konstatojmë që fushatat lokale ranë nën hijen e zgjedhjeve presidenciale. Inkurajojmë Qeverinë të merr parasysh ndarjen e zgjedhjeve lokale nga ato kombëtare me qëllim që t’u mundësohet rëndësia e duhur edhe zgjedhjeve komunale,” tha Ludmilla Sfirloaga, Shef i Delegacionit të Kongresit të autoriteteve lokale dhe rajonale.
Misioni ndërkombëtar për vëzhgimin e zgjedhjeve paraqet veprimtari të përbashkët të Zyrës së OSBE-së për institucione demokratike dhe të drejta të njeriut (OSBE/ODIHR), Asamblesë Parlamentare të OSBE-së (AP OSBE), dhe të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE). Kongresi i Këshillit të Evropës për Autoritete Lokale dhe Rajonale gjithashtu i bashkangjiten kësaj deklarate të përbashkët.
Për informata më të hollësishme kontaktoni:
- Jens-Hagen Eschenbächer, OSBE/ODIHR, mobil: +389 (0) 70 666 044 ose +48 603 683 122, [email protected]
- Andreas Baker, AP OSBE, mobil: +389 (0) 70665889 ose +45 60108030, [email protected]
- Chemavon Chahbazian, APKE, mobil: +33 6621 39351, [email protected]
- Jean-Philippe Bozouls, Kongres, mobil: +33 672754297, [email protected]