Sistem i ri me përdorimin e lazerit për parandalimin e përdorimit të paligjshëm të armëve
SHKUP, 14 mars 2024 –Prezantimi i një sistemi të ri për menaxhimin e armëve të zjarrit të çaktivizuara, i mundësuar nga donacionet e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Misionit të OSBE-së në Shkup, do të ndihmojë në parandalimin e keqpërdorimit të armëve dhe përmirësojë sigurinë në tërë Maqedoninë e Veriut.
Makina me lazer për klasifikimin e armëve të zjarrit, e instaluar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, do të etiketojë armët e zjarrit të çaktivizuara në mënyrë të specializuar dhe të përhershme. Këto armë tani do të regjistrohen sistematikisht, duke përmirësuar kështu ndjekjen e tyre. Për më shumë, certifikatat e çaktivizimit, të pajisura me veti mbrojtëse për të parandaluar falsifikimin, do të prezantohen krahas procesit të etiketimit.
"Ne kemi mbështetur luftën kundër keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta përmes aktiviteteve të ndryshme sepse ne besojmë se kjo është mënyra efikase për të rritur nivelin e sigurisë të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut”, tha Armen Grigoryan, Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së. “Me sigurimin e kësaj makine me lazer për etiketimin e armëve të zjarrit, dhe mikroskopin e instaluar më parë për analizimin e mbetjeve të të shtënave, rëndësishëm i kemi forcuar kapacitetet teknike të Ministrisë së Punëve të Brendshme për të adresuar dhe parandaluar në mënyrë më efektive përdorimin e paligjshëm të armëve të zjarrit".
Intervenimet e përbashkëta nga UNDP dhe Misioni i OSBE-së në Shkup ndihmojnë vendit në përmbushjen e obligimeve të veta për zbatimin e rregullave për klasifikimin e armëve të zjarrit të importuara dhe çaktivizuara, si dhe në përmbushjen e standardeve ndërkombëtare dhe të Bashkimit Evropian për menaxhimin me armët e vogla dhe të lehta.
“Donacioni i sotshëm do të mundësojë Ministrinë e Punëve të Brendshme të nxjerrë certifikate për armët e çaktivizuara në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe të përforcojë kontrollin e armëve në mënyrë efektive”, tha ambasadori Kilian Wahl, shef i Misionit të OSBE-së në Shkup. “Kjo ka efektin pozitiv jo vetëm në jetën e njerëzve në vend, por edhe në tërë Evropën, pasi që armët me origjinë nga ky rajon shpesh përdoren në krime, madje dhe në sulme terroriste anembanë”.
Donacioni i UNDP-së financohet nga qeveritë e Gjermanisë, Suedisë, Holandës, Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Norvegjisë përmes Fondit shumë-partnerësh të Mirëbesimit për zbatimin e Udhërrëfyesit për kontrollin e AVL në Ballkanin Perëndimor, i cili mbështetet nga Bashkimi Evropian. Donacioni i Misionit të OSBE-së në Shkup financohet nga Belgjika, Bashkimi Evropian, Franca, Gjermania, Norvegjia, Sllovakia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.