Arsim më i mirë për nxënësit — Misioni i OSBE-së në Shkup dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës nënshkruajnë marrëveshje për të përmirësuar arsimin e integruar
SHKUP, 1 shkurt 2023 - Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Wahl dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës i Maqedonisë së Veriut, Jeton Shaqiri, nënshkruan sot dy marrëveshje për përmirësimin e arsimit të integruar për fëmijët e komuniteteve të ndryshme në vend.
“Ne po krijojmë kornizë për bashkëpunim në arsimin e integruar dhe ndërkulturalizmin si pjesë e përpjekjeve tona të përbashkëta për të përmirësuar arsimin cilësor për të gjithë,” tha Wahl. “Projektet tona të përbashkëta me Ministrinë ofrojnë një mundësi unike për komunitetet shkollore të gjuhëve të ndryshme që të punojnë së bashku, duke përmirësuar kohezionin social në mbarë Maqedoninë e Veriut.
Aktivitetet në marrëveshjet e Memorandumeve të Mirëkuptimit planifikohet të përfshijnë grante për shkollat anembanë vendit për orët mësimore të zhvilluara bashkërisht ndërmjet shkollave partnere që përdorin gjuhë të ndryshme mësimore, si dhe vazhdimin e mbështetjes së Misionit për orët dygjuhëshe për nxënësit e shkollave të mesme në Shkup, e cila gjithashtu është pjesë e një iniciative të Qytetit të Shkupit në shkolla të caktuara.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës është e përkushtuar të promovojë arsim cilësor dhe reformat e nevojshme në të gjitha nivelet arsimore: fillor, të mesëm dhe të lartë. Një aspekt thelbësor në kontekstin tonë është sfondi multikulturor dhe shumëgjuhësor i nxënësve dhe komuniteteve tona. Ne duhet ta kultivojmë dhe promovojmë këtë si vlerë, që edhe është në të vërtetë. E vlerësojmë bashkëpunimin me OSBE-në, nga i cili kanë përfituar drejtpërdrejt shumë nxënës,” tha ministri Shaqiri.
Marrëveshjet e nënshkruara sot bazohen në dy programe që Misioni ka përkrahur për gati një dekadë për të ndihmuar Maqedoninë e Veriut në forcimin e kohezionit social dhe arsimit të integruar. I pari është një pilot program i iniciuar nga qyteti i Shkupit në vitin 2018 për orët mësimore dygjuhëshe për nxënësit e shkollave të mesme. E dyta është projekti “Ndërtojmë ura të reja” që fillimisht siguroi grante për aktivitete të përbashkëta jashtëshkollore për nxënës në gjuhë të ndryshme dhe tani do të ofrojë grante për shkollat për të organizuar orë mësimore të përbashkëta për nxënës në gjuhë të ndryshme. Këto programe kanë ndihmuar tashmë më shumë se 35,000 nxënës dhe mësues nga komunitete të ndryshme në Maqedoninë e Veriut.