Misioni i OSBE-së në Shkup hap thirrje për propozim projekte nga organizatat e shoqërisë civile dhe atyre për bamirësi
22 maj 2020, SHKUP - Sot Misioni i OSBE-së në Shkup hapi thirrje për propozim-projekte nga organizatat e shoqërisë civile (OShC), asociacionet dhe shoqatat bamirëse. Qëllimi i thirrjes është të adresojë nevojat e komuniteteve më të prekshme dhe të pambrojtura në vend në fushat e përfshira nga mandati i Misionit gjatë krizës me Covid-19.
Kjo thirrje ka për qëllim gjithashtu të mbështesë organizatat që përballen me vështirësi në mirëmbajtjen e aktiviteteve të tyre për shkak të pandemisë, përfshi organizatat që punojnë me të rinj, njerëz në rrezik, përfshi të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe ato me probleme afatgjate të shëndetit fizik dhe mendor; komunitetet më të vogla, përfshi Romët dhe Sinti; të mbijetuarit e dhunës në familje, dhunës me bazë gjinore, si dhe personat e trafikuar, refugjatët dhe migrantët. Mbështetja gjithashtu përfshin aktivitete në fusha të tilla si avokimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut. Më shumë informacion mbi financimin në dispozicion mund të gjeni këtu https://www.osce.org/response-fund-skopje
“Pandemia aktuale me Covid-19 dhe kriza ekonomike që ka krijuar paraqesin një kërcënim të paparë për sigurinë dhe stabilitetin shoqëror. Fondi ynë i ri për përgjigje ndaj COVID-19 ofron një mundësi për grupet e shoqërisë civile, shoqatat bamirëse të marrin fonde deri në 15,000 Euro për t'i ndihmuar ata të kryejnë punën e tyre të rëndësishme dhe të mirëmbahen përballë pandemisë,” tha Shefi i Misioni i OSBE-së në Shkup Clemens Koja.
"Ne po e lançojmë këtë iniciativë me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe mezi presim të marrim propozime inovative që synojnë të mbrojnë të drejtat themelore, të sigurojnë qasje në shërbimet themelore, si dhe të kontribuojnë në përmbushjen e angazhimeve të OSBE-së nga ana e shtetit gjatë tre muajve të ardhshëm,” shtoi Koja.
Duke përshëndetur iniciativën e Misionit të OSBE-së, ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut Nikolla Dimitrov, theksoi: "Ne mbështesim fuqimisht Misionin e OSBE-së në Shkup për fondin e përgjigjes ndaj COVID-19, i cili besojmë se do t'i ndihmojë organizatat joqeveritare lokale të vazhdojnë t'i mbështesin ata që më së shumti kanë nevojë dhe janë më të prekur gjatë kësaj kohe, si dhe të përforcojnë vlerat demokratike në shoqërinë tonë.”
"Si ish aktivist i shoqërisë civile dhe anëtar i grupit të ekspertëve, unë e di se sa sektori joqeveritar ka kontribuar në kthesën demokratike që kemi bërë viteve të fundit. Në një kohë kur ka shumë nevojë për punën e organizatave joqeveritare, ndërsa ata po përballen me sfida serioze financiare për shkak të krizës, besoj se kjo është zgjidhje që duhet të mirëpritet.”