Raporti i parë i përkohshëm mbi punën e Prokurorisë Speciale u prezantua sot në Shkup
SHKUP, 29 gusht 2018 - Raporti i parë i përkohshëm i Misionit të OSBE-së në Shkup mbi aktivitetet dhe rastet e Prokurorisë Speciale Publike (PSP) ofron një analizë të detajuar dhe rekomandime për punën e saj, duke theksuar sfidat e hasura dhe sukseset e arritura.
Raporti është rezultat i monitorimit nga ana e Misionit të gjykimeve për rastet e Prokurorisë Speciale, duke u fokusuar kryesisht në 20 rastet në të cilat janë ngritur aktakuza sipas afatit ligjor të 30 qershorit 2017.
Gjatë prezantimit të raportit, ushtruesi i detyrës së Misionit të OSBE-së në Shkup, Jeff Goldstein, tha se monitorimi i rasteve gjyqësore të profilit të lartë është dëshmuar të jetë një mjet efikas për nxitjen e implementimit të standardeve vendore dhe ndërkombëtare të gjykimit të drejtë, si dhe për mbështetjen e reformës gjyqësore.
“Prania e vëzhguesve në sallën gjyqësore shpesh mundëson një respekt më të madh të standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut,” tha Goldstein. “Ne gjithashtu besojmë se rekomandimet e vëzhguesve mund të kontribuojnë në përmirësimin e sistemit ligjor.”
Prokurorja Speciale Katica Janeva tha: “Ky projekt është me rëndësi të veçantë për ne, pasi për herë të parë jep një pasqyrë të hollësishme të të gjithë procesit duke filluar nga themelimi i Zyrës tonë. Raporti përshkruan fazat e themelimit të institucionit përmes punës së bërë dhe rezultateve të arritura, si dhe sfidave dhe pengesave të hasura.”
Janeva shtoi se raporti gjithashtu përforcon PSP-në në angazhimin e saj për të vazhduar tutje. “Qëllimi ynë është të përfundojmë misionin e besuar, duke trajtuar mosndëshkimin dhe duke mbrojtur sundimin e ligjit,” tha Janeva.
Raporti https://www.osce.org/sq/mission-to-skopje/391760 është pjesë e projektit të financuar përmes kontributeve jashtë buxhetore të ofruara nga Mbretëria e Holandës dhe Departamenti amerikan i Shtetit - Byroja për Çështje Ndërkombëtarë të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit.