Qasja gjithëpërfshirëse e tërë shoqërisë është kyçe për të luftuar ekstremizmin dhe radikalizimin e dhunshëm që çon në terrorizëm, theksojnë pjesëmarrësit në stërvitje
Shkup, 7 nëntor 2017 - Një përqasje gjithëpërfshirëse e tërë shoqërisë për të parandaluar dhe luftuar ekstremizmin dhe radikalizmin e dhunshëm që çon në terrorizëm është fokusi i stërvitjes që zhvillohet në Shkup nga data 7 deri në 9 nëntor, e organizuar bashkërisht nga Misioni i OSBE-së në Shkup, ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe konzorciumi Partneritet për Paqe, në bashkëpunim me Zyrën e Komitetit kombëtar për luftë kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe luftën kundër terrorizmit.
Stërvitja, e titulluar “Luftëtarët e huaj terroristë: Promovimi i parandalimit dhe rezistencës”, synon të forcojë dhe përmirësojë qasjen gjithëpërfshirëse të vendit për të luftuar terrorizmin dhe përhapjen e ekstremizmit dhe radikalizimit të dhunshëm që çon në terrorizëm, si dhe avancimin e bashkëpunimit rajonal.
“Përvojat e përbashkëta tregojnë se asnjë vend nuk mund t'i përgjigjet vetëm rrezikut global të ekstremizmit radikal dhe terrorizmit”, tha kryeministri Zoran Zaev, i cili iu drejtua pjesëmarrësve në hapjen e stërvitjes. “Për parandalimin dhe përballimin efikas të këtyre fenomeneve është i nevojshëm veprimi i koordinuar dhe zhvillimi i një strategjie të përbashkët të sigurisë për t’u përballur me sfidat.”
“Ekstremizmi dhe radikalizimi i dhunshëm që çon në terrorizëm është një kërcënim me të cilin ballafaqohen të gjitha shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së dhe partnerët për bashkëpunim.”, tha në fjalën e saj të hapjes, shefja e Misionit të OSBE-së në Shkup, Nina Suomalainen. “Ndërkohë që iniciativat e edukimit, porosive dhe angazhimit në komunitet janë të rëndësishme, ato duhet të jenë pjesë e një qasjeje strategjike dhe gjithëpërfshirëse për të qenë të suksesshme.”
“Ndërsa terrorizmi është bërë një çështje globale, përvoja na mëson se kjo duhet të trajtohet në nivel lokal”, tha Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Jess L. Baily. “Janë njohuritë dhe idetë tuaja dhe kuptimi juaj i kontekstit lokal dhe kulturës që do të çojnë në qasjet më të mira për të parandaluar përhapjen e ekstremizmit të dhunshëm në këtë vend. Veprimet praktike në nivel komuniteti janë mënyra më e mirë përpara”.
Gjatë stërvitjes, më shumë se 100 ekspertë vendas, rajonal dhe ndërkombëtar kundër terrorizmit, udhëheqës të e komunitetit, anëtarë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të bashkësive fetare, akademia dhe mediat do të diskutojnë se si vendi dhe rajoni mund të trajtojnë sfidat e sigurisë të paraqitura nga luftëtarët e huaj terroristë dhe të shqyrtojë qasjet kombëtare dhe rajonale si dhe përgjigjet ndaj këtij fenomeni.
Në vitin 2014, Këshilli Ministror i OSBE-së miratoi Deklaratën mbi rolin e OSBE-së në luftën kundër fenomenit të luftëtarëve të huaj terroristë në kuadër të zbatimit të Rezolutës 2170 (2014) dhe 2178 (2014) të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.