Gjyqësori i Kosovës t'i trajtojë lëndët e krimit të organizuar dhe korrupsionit në mënyrë më efektive, thotë raporti i OSBE-së
PRISHTINË, 5 qershor 2024 - Misioni i OSBE-së prezantoi raportin “Nga teoria në praktikë: Vlerësim i efektivitetit të reagimit të gjyqësorit ndaj krimit të rëndë të organizuar dhe korrupsionit në Ballkanin Perëndimor” që analizon sistemin e drejtësisë në Kosovë, pjesë e një projekti rajonal të OSBE-së të realizuar me mbështetje financiare të BE-së.
Duke u mbështetur në monitorimin e 52 lëndëve të krimit të organizuar dhe korrupsionit, me gjithsej 670 seanca dëgjimore të mbajtura në periudhën korrik 2021 - mars 2024, analiza synon t’i mbështesë institucionet e Kosovës në adresimin e mangësive të identifikuara dhe shqyrtimin gjyqësor të lëndëve të tilla në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe ato të të drejtave të njeriut.
Raporti vë në dukje zhvillime pozitive të tilla si miratimi i Strategjisë për sundimin e ligjit 2021-2026 , miratimi i Planit strategjik 2022-2024 për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe nënshkrimi i “Deklaratës së përbashkët të zotimit” nga palët kryesore të interesit në mars 2023.
Ai po ashtu evidenton shqetësimet kryesore, përfshirë shkallën e lartë të lirimit nga akuzat, zvarritjet në shqyrtimin e lëndëve si edhe mangësitë në menaxhimin e lëndëve, kryesisht për shkak të vështirësive në zbatimin e Kodit të Procedurës Penale, praktikave gjyqësore jokonsistente, vonesave në marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe problemeve me përkthim.
Analiza del me një listë rekomandimesh praktike për akterët e gjyqësorit, që bazohet në një shqyrtim të performancës së tyre në katër fusha kryesore: drejtësia, efikasiteti, kapaciteti dhe mjetet gjyqësore. Rekomandimet kryesore përfshijnë forcimin e transparencës, ndarjen e më shumë burimeve njerëzore dhe materiale, si edhe përmirësimin e kritereve të vlerësimit të performancës për gjyqtarët dhe prokurorët.
“Luftimi efektiv i krimit të organizuar dhe korrupsionit është thelbësor për sundimin e ligjit. Ky raport bazohet në prova të forta nga monitorimi i gjykimeve në tri vitet e fundit dhe ofron rekomandime të rëndësishme për forcimin e përgjigjes së drejtësisë penale ndaj këtyre krimeve,” tha Shefi i Misionit të OSBE-së Ambasadori Michael Davenport, në ngjarjen e organizuar me rastin e prezantimit të këtij raporti.
Nga ana e saj Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu tha se objektivë kryesore e Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Drejtësisë ka qenë lufta e pa kompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar përmes reformave në sistemin e drejtësisë.
“Ministria e Drejtësisë po shënon të arritura konkrete edhe në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në këtë drejtim, ne kemi kompletuar dhe miratuar paketën ligjore Kundër-korrupsion, kemi miratuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë, por gjithashtu, kemi miratuar Rregulloren për Sinjalizim dhe jemi në rrugën e duhur për funksionalizimin e task-forcës Anti-korrupsion dhe ekipit të përbashkët të hetimeve për hetimin dhe ndjekjen e veprave penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit me përbërje të ekspertëve nga institucionet tjera shtetërore,” tha Ministrja Haxhiu dhe falënderoi misionin e OSBE-së për Raportin, duke theksuar se rekomandimet e dala do të jenë në fokusin e Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë.
“Sektori i drejtësisë ka përgjegjësinë për të garantuar llogaridhënie dhe për ta parandaluar mosndëshkimin në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pres që rekomandimet e vlefshme të raportit të OSBE-së mbi monitorimin e proceseve gjyqësore, bashkë me ato të monitorimit gjithëpërfshirës nga ana e EULEX-it të lëndëve të përzgjedhura në tërë zinxhirin e drejtësisë penale, t'u ndihmojnë autoriteteve të Kosovës që t’i adresojnë mangësitë e identifikuara dhe ta përmirësojnë trajtimin e lëndëve të tilla,” tha Ambasadori i BE-së Tomáš Szunyog.
Ky projekt rajonal, i zbatuar nga operacionet e OSBE-së në terren në Tiranë, Prishtinë, Sarajevë, Podgoricë, Shkup, e që nga korriku i këtij viti edhe në Beograd, do të vazhdojë deri në dhjetor 2026, kur do të publikohet raporti përfundimtar.
Raportin e plotë mund ta gjeni këtu: https://www.osce.org/files/f/documents/d/5/570225.pdf
Broshurën me fakte rreth gjetjeve dhe rekomandimeve kryesore mund ta lexoni këtu: https://www.osce.org/files/f/documents/7/9/570207.pdf