Dorëheqja e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë të Kosovës kthim prapa në çështjen e integrimit dhe sundimit të ligjit në Mitrovicë, thekson raporti i Misionit të OSBE-së
PRISHTINË, 9 shkurt 2024 - Misioni i OSBE-së në Kosovë publikoi sot raportin mbi ndikimin e dorëheqjes masive të vitit 2022 të gjyqtarëve, prokurorëve dhe personelit administrativ serb të Kosovës nga sistemi i drejtësisë në rajonin e Mitrovicës.
Ky raport analizon të dhënat statistikore për periudhën janar 2022 deri në qershor 2023 që kanë të bëjnë me kapacitetin e Gjykatës Themelore dhe Prokurorisë Themelore të Mitrovicës për të administruar drejtësinë në kohë dhe me efikasitet para dhe pas nëntorit 2022, kur 20 gjyqtarë, 10 prokurorë dhe 132 zyrtarë të tjerë administrativë dhanë dorëheqje. Përveç kësaj, dorëheqje dhanë edhe katër gjyqtarë serbë të Kosovës nga Divizioni i Apelit në Gjykatën e Apelit në Mitrovicën Veriore.
“Pas integrimit të stafit gjyqësor serbë të Kosovës më 2017, këto dorëheqje ishin kthim i madh prapa për sistemin e drejtësisë në Mitrovicë. Raporti i Misionit të OSBE-së në Kosovë thekson se kjo ka rezultuar në zvogëlim të kapacitetit të gjykatës dhe prokurorisë për ndarje të drejtësisë, gjë e cila ka minuar të drejtën në gjykim brenda një kohe të arsyeshme dhe ka dëmtuar qasjen në drejtësi”, tha Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Si pasojë e mungesës së papritur dhe të konsiderueshme të stafit, Gjykata Themelore dhe Prokuroria Themelore në Mitrovicë përjetuan një rënie të ndjeshme në shkallën e procedurave gjyqësore dhe zvogëlimit të ngarkesës së lëndëve (masë kjo për matjen e efikasitetit të gjykatës dhe prokurorisë) nga 75% në 59% në gjykata dhe nga 75% në 57% në prokurori.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) kanë bërë përpjekje për të adresuar këtë situatë duke rialokuar lëndë dhe staf gjyqësor, në të njëjtën kohë duke organizuar edhe diskutime lidhur me përmirësimin e rekrutimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj nga komunitetet joshumicë.
Tutje, raporti thekson domosdoshmërinë e masave për adresimin e këtyre çështjeve dhe rivendosjen e funksionimit efikas dhe të paanshëm të sistemit të drejtësisë në Mitrovicë. Mbi të gjitha, është e domosdoshme të promovohet sistemi shumetnik i drejtësisë.
Pjesë e mandatit të Misionit të OSBE-së në Kosovë është mbështetja e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe komuniteteve, si dhe ndërtimi i kapaciteteve në sektorin e sigurisë publike dhe forcimi i institucioneve demokratike. Misioni gjithashtu monitoron sistemin e drejtësisë nga perspektiva e respektimit të standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe ofron rekomandime për adresimin e çështjeve të identifikuara.
Raportin e plotë mund ta lexoni këtu: https://www.osce.org/sq/mission-in-kosovo/562527