Misioni i OSBE-së dhe Këshilli i Evropës mbajnë tryezë të rrumbullakët mbi përforcimin e rolit të Kuvendit në monitorimin e zbatimit të Konventës së Stambollit në Kosovë
Misioni i OSBE-së në Kosovë, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës dhe Kuvendin e Kosovës, organizoi më 22 nëntor 2023 në Prishtinë panelin e nivelit të lartë mbi rolin e Kuvendit të Kosovës në monitorimin e zbatimit të Konventës së Stambollit.
Në paraprirje të fushatës “16 ditë të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”, ky aktivitet mblodhi bashkë deputetë, përfaqësues të qeverisë, organizatave të shoqërisë civile, institucioneve ndërkombëtare, dhe organizatave tjera aktive në fushën e luftimit të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
Nëpërmjet diskutimeve të strukturuara me kujdes, ekspertë dhe profesionistë të shquar të fushës i shqyrtuan modalitetet për përforcimin e instrumenteve institucionale për monitorim të zbatimit të Konventës së Stambollit, përfshirë këtu detyrimin për krijimin e një mekanizmi mbështetës institucional nga radhët e palëve kryesore të interesit dhe në nivele të ndryshme të qeverisjes.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Michael Davenport, në fjalën e tij hapëse tha: “tema e fushatës së vitit 2023 është investimi në parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave. Duke pasur këtë parasysh, Misioni është fokusuar në ngritjen e mekanizmave themelorë për bashkërendim në nivel qendror dhe lokal, se nëse nuk jemi më të koordinuar, nuk mund të jemi më efektivë. Për këtë lipset të angazhohet dhe rinia, pra të rinjtë dhe të rejat, si dhe përqendrim akoma më i madh në nevojat e veçanta të grupeve në pozitë të cenueshme dhe komuniteteve joshumicë.”
Në fjalën e saj, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, tha: “pikë e rëndësishme ku besoj se kërkohet më shumë punë dhe më shumë vëmendje është ndërtimi i një forme, qoftë përmes Ministrisë apo në kuadër të Kuvendit, që të shërbejë për të mbledhur më shumë të dhëna që nuk do të fokusoheshin vetëm në shkaqet e dhunës, por do të përfshinin mënyrën në të cilën planifikojmë, si në parlament ashtu edhe qeverisjen e përgjithshme, dhe se si ky planifikim ndikon tek gratë në sfera të ndryshme të jetës.”
Pjesëmarrësit arritën në përfundimin se për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave lipset angazhim i vazhdueshëm dhe gjithëpërfshirës që i tejkalon vijat politike dhe ngërthen një qasje gjithëpërfshirëse institucionale. Gjithashtu, u theksua se Kuvendi i Kosovës dhe trupat e tij kanë rol thelbësor për suksesin e përpjekjeve në këtë drejtim. Nga ekzekutivi u kërkua që të krijojë pika kontakti me Kuvendin të Kosovës dhe t'i mbajë ligjvënësit të mirinformuar për përparimin dhe sfidat në zbatimin e Konventës së Stambollit. Në fund, u theksua që si legjislativi ashtu edhe ekzekutivi duhet ta përforcojnë bashkëpunimin dhe bashkërendimin me sektorin e shoqërisë civile.
Misioni i OSBE-së në Kosovë është i mandatuar me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, me demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike, dhe në qendër të të gjitha aktiviteteve të tij ka fuqizimin, barazinë gjinore dhe të drejtat e grave. Misioni fokusohet në ofrim të mbështetjes për miratimin dhe zbatimin e një kornize jodiskriminuese ligjore dhe të politikave, dhe i kushton vëmendje të veçantë pjesëmarrjes së grave në jetën publike dhe politike.