Gjykatat në Kosovë të vendosin paraburgimin vetëm si mjet të fundit, rekomandon raporti i Misionit të OSBE-së
PRISHTINË, 25 tetor 2023
Përdorimi i tepruar i paraburgimit është çështje globale që paraqet shqetësim për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, dhe Kosova përballet me sfida të ngjashme.
Duhet të bëhen përpjekje për të përmirësuar cilësinë e arsyetimeve në kërkesat e prokurorisë, parashtresat e mbrojtjes dhe vendimet gjyqësore përpara se të vendoset kjo masë, thuhet në raportin e publikuar sot nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.
Raporti ka analizuar 70 seanca të “paraburgimit” të monitoruara nga Misioni në mbarë Kosovën në vitin 2022, si dhe nëntë vendime të apelit në vitin 2023, për pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë dhe të të drejtave të njeriut.
Raporti vë në dukje praktika pozitive në sistemin e drejtësisë krahasuar me gjetjet në raportet e mëparshme të OSBE-së, si për shembull respektimi i afateve procedurale dhe sigurimi i përfaqësimit të të gjithë të pandehurve me avokatë në seancat e paraburgimit. Megjithatë, raporti po ashtu vë në dukje brenga, përfshirë mungesën e shfrytëzimit të alternativave ndaj paraburgimit (si lirimi me dorëzani), arsyetimin e pamjaftueshëm në vendimet për paraburgim, si dhe dështimin në individualizim të vendimeve në rastet ku ka disa të pandehur.
“Vendimet për paraburgim janë sfiduese. Gjyqtarët dhe prokurorët e kanë për detyrë të mbështesin sundimin e ligjit dhe të mbrojnë publikun po ashtu. Ata duhet të marrin vendime të vështira – të vlerësojnë rrezikun, të respektojnë të drejtat e të pandehurit dhe të kenë në konsiderim sigurinë publike, duke siguruar njëkohësisht që ata që kryejnë krime mbajnë përgjegjësi”, tha Ambasadori Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Albert Zogaj, Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, u zotua t'i adresojë gjetjet e raportit, duke punuar së bashku me Gjykatën Supreme dhe Akademinë e Drejtësisë, për të harmonizuar dhe përmirësuar praktikat gjyqësore në lidhje me paraburgimin, dhe të mbështesë trajnimet e nevojshme për zyrtarët e drejtësisë.
Raporti përfundon me rekomandime specifike për palët kryesore të drejtësisë, sidomos për sa i përket trajnimit dhe zgjerimit të alternativave të disponueshme ndaj paraburgimit në fazën paraprake.
Misioni do ta pasojë publikimin e raportit me diskutime në tryeza të rrumbullakëta me palët homologe të drejtësisë në mbarë Kosovën, për të diskutuar gjetjet dhe rekomandimet.
Raporti i plotë mund të qaset këtu: https://www.osce.org/mission-in-kosovo/556428