Përmbyllet edicioni i 9-të i Akademisë së Dialogut për Gratë e Reja nga Prishtina dhe Beogradi i mbajtur në Strugë
Prishtinë, 16 tetor 2023
Akademia e 9-të e Dialogut të OSBE-së për Gratë e Reja e organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Serbi, përfundoi dje në Strugë, Maqedoni e Veriut.
Programi dhjetëditor ditor mblodhi 23 pjesëmarrëse nga Prishtina dhe Beogradi dhe u ofroi një përvojë gjithëpërfshirëse të orientuar drejt kultivimit të lidhjeve ndërpersonale dhe forcimit të rrjetëzimit, duke ndërtuar njëkohësisht dialogun dhe besimin reciprok.
Nëpërmjet shkëmbimeve të kuptimplota me trajnerë dhe folës të ftuar - të cilët ndanë përvojat e tyre personale dhe profesionale - pjesëmarrëset u pasuruan me njohuri dhe aftësi të reja në fusha kyçe, siç janë barazia gjinore, gratë në politikë, agjendat për paqe dhe siguri të grave dhe të rinjve, ndërmjetësimi, ndërtimi i besimit, etj. Në veçanti, programi - i ndërtuar për të ofruar pamje 360º mbi temën e interesit të përbashkët - përfshinte perspektiva jo vetëm nga shoqëritë e Prishtinës dhe Beogradit, por edhe nga rajoni më i gjerë i Ballkanit Perëndimor, Evropa dhe përtej.
Kryesuesi i radhës i OSBE-së, z. Bujar Osmani, iu bashkua pjesëmarrëseve në Strugë dhe i inkurajoi që të bëhen shtytëse të ndryshimeve, duke shfrytëzuar fuqinë e rrjeteve ekzistuese dhe duke krijuar lidhje me gra të reja të tjera mendje-hapura. Gjatë diskutimit, z. Osmani po ashtu theksoi rëndësinë e jo vetëm sfidimit të narrativës negative aktuale mbizotëruese, por edhe atë të zhvillimit të një diskursi të ri publik pozitiv, fuqizues dhe gjithëpërfshirës.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Michael Davenport, në fjalimin e tij në Strugë theksoi rëndësinë e Akademisë së Dialogut që sjellë bashkë gra të reja për të ndërtuar ura dhe për të krijuar një rrjet të fortë të diplomuarave të Akademisë.
"Kam mësuar shumë gjatë këtij udhëtimi të jashtëzakonshëm. Akademia e Dialogut më ka transformuar dhe tashmë pres me padurim t'i zhvilloj tutje miqësitë që kam krijuar gjatë këtij rrugëtimi," tha Dafina Aliu, pjesëmarrëse nga Prishtina.
Për Tijana Kukanjac nga Beogradi, kjo ishte "një përvojë tejet mendje-hapëse dhe jetë-ndryshuese, nga e cila po ndahem si një person më e mirë dhe me miqësi tepër të çmuara".
Si vazhdim, pjesëmarrëset do të ribashkohen në nëntor për një vizitë shkëmbimore të të diplomuarave të Akademisë, duke formësuar dhe avancuar më tej idetë e tyre në kuadër të Rrjetit të të Diplomuarave të Akademisë së Dialogut, që numëron tashmë 209 anëtare.
Akademia e Dialogut organizohet çdo vit që nga viti 2015, nën patronatin e nismës “Follow Us”, si pjesë e punës së saj për të rritur pjesëmarrjen e grave në dialog, zgjidhjen e konflikteve dhe proceset vendimmarrëse.