Pjesëmarrëset e Akademisë së OSBE-së për Dialog përfundojnë vizitën studimore në Belfast
Belfast dhe Prishtinë, 18 shtator 2023 - Tetë studente, alumni të Akademisë së Dialogut të themeluar nga OSBE që bashkon gra të reja nga Prishtina dhe Beogradi, përfunduan sot një vizitë studimi një javore në Irlandën e Veriut.
Qëllimi i vizitës së financuar nga Departamenti i Punëve të Jashtme i Irlandës, ishte promovimi i shkëmbimit të përvojave midis pjesëmarrësve dhe praktikuesve të ndërtimit të paqes dhe ndjekja e një kursi të specializuar në zgjidhjen e konflikteve dhe ndërmjetësimin.
“E njohur për rolin e saj jetik në ndërtimin e paqes përmes Marrëveshjes historike të së Premtes së Mirë, Irlanda e Veriut u ofron pjesëmarrësve perspektiva të ndryshme mbi rolin e grave në ndërtimin e paqes, si dhe sfidat dhe mundësitë që lidhen me të,” tha Ambasadori Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Vizita studimore theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme të përfshirjes në proceset e zgjidhjes së konflikteve dhe dialogut, duke u përafruar në mënyrë të përsosur me Agjendat e Paqes dhe Sigurisë për Gratë dhe Rininë.
Gjatë prezantimit të saj angazhues, Avila Kilmurray, një nga themelueset e Koalicionit të Grave të Irlandës së Veriut, ofroi një pasqyrë tejet interesante të rrugëtimit themeltar të kësaj partie politike. Ajo u thellua në parimet thelbësore që mbështetën misionin e koalicionit, duke theksuar rolin kryesor të të drejtave të njeriut, barazisë dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve. Kilmurray nënvizoi se si secili anëtar i partisë fuqizohej nga këto parime, duke përafruar përpjekjet e tyre drejt krijimit të një Irlande Veriore më gjithëpërfshirëse dhe harmonishme.
Vizita studimore filloi me një vizitë në ndërtesën e Parlamentit Stormont, ku pjesëmarrëset u angazhuan në bashkëbisedim me deputetin e Asamblesë Ligjvënëse - Andy Alan, i cili ndau rrugëtimin e tij frymëzues personal si politikan me aftësi të kufizuara. Si pjesë e programit, grupi vizitoi Qendrën e Grave Shankill, një organizatë lokale që ofron trajnime, ndërgjegjësim për shëndetin, kujdesin ndaj fëmijëve dhe aktivitete për gratë e reja në zonën e Shankill-it të Madh dhe më gjerë. Gjatë takimit me përfaqësuesit e Zyrës së Irlandës së Veriut dhe Sekretariatit Irlandez në Belfast, pjesëmarrëset reflektuan mbi rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për avancimin e vazhdueshëm dhe gjithëpërfshirës të ndërtimit të paqes dhe marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve.
"Kjo përvojë më ka pasuruar me ide se si të bëj ndryshim pozitiv në komunitetin tim. Mundësia që të mësoj nga afër prej atyre që kanë përvojë në bërje të paqes më ka ndihmuar si në përzgjedhjen e strategjive përkatëse poashtu edhe identifikimin e grackave që duhet shmangur,” tha Dea Fetiu, alumni nga Prishtina.
Tamara Milanoviq, alumni nga Beogradi, tha se ajo me të vërtetë e vlerësonte mundësinë për të mësuar rreth metodave dhe mekanizmave që populli i Irlandës së Veriut ka përdorur për të nxitur vazhdimisht angazhimin e komunitetit për ndërtimin e paqes dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve.
Pjesëmarrëset patën gjithashtu mundësinë të kalonin një mbrëmje në zyrën e Programit të Uashingtonit për Irlandë, një nismë kushtuar edukimit dhe fuqizimit të liderëve në zhvillim. Gjatë këtij takimi, ato u angazhuan në diskutime dhe reflektime të frytshme. Ato ripohuan kolektivisht misionin e tyre të përbashkët: të mbështesin dhe fuqizojnë të rejat dhe të rinjtë, të përkushtuar fuqishëm për të krijuar një të ardhme që karakterizohet nga paqja dhe prosperiteti për shoqëritë e tyre përkatëse.
Vizita studimore në Irlandën e Veriut – e organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë për të dytin vit radhazi – jo vetëm që ka zgjeruar horizontet alumnive të Akademisë së Dialogut, por gjithashtu ka thelluar mirëkuptimin dhe vullnetin e tyre për të promovuar ndërtimit paqeje, gjithëpërfshirje dhe dialog brenda komuniteteve të tyre përkatëse. Kjo përvojë padyshim do të kontribuojë në rritjen e tyre personale, por gjithashtu do të frymëzojë angazhimin e tyre të mëtejshëm në Rrjetin Alumni të Akademisë së Dialogut si nxitëse të ndryshimeve pozitive sociale.