Misioni i OSBE-së i bashkon të rinjtë nga komunitete të ndryshme të Kosovës përmes sportit
Misioni i OSBE-së në Kosovë përmbylli sot edicionin e katërt të kampit multietnik të tenisit të organizuar në bashkëpunim me komunën e Graçanicës, duke mbledhur të rinj nga komunitete të ndryshme për ushtrime dhe lojëra.
Në këtë edicion morën pjesë 20 të rinj nga komuniteti shqiptar, serb dhe ashkali të Kosovës nga komunat e Prishtinës, Obiliqit dhe Graçanicës. Të rinjtë mësuan rreth tenisit nën drejtimin e trajneres Marija Djordjevic dhe ushtruan për lojëra parakualifikuese në terrenet për lojëra të tenisit në Parkun e Gërmisë si dhe mësuan shkathtësitë e nevojshme të sportit, të cilat i treguan në ndeshjen finale në Graçanicë.
Pas tri ndeshjeve finale, fituesit Marija Crvenković, Luka Filić dhe Viktor Radić u shpërblyen me medalje nga Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Michael Davenport, Kryetarja e Komunës së Graçanicës, Liljana Šubarić dhe Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport i Komunës së Graçanicës, Dušan Cvejić.
"OSBE-ja prej kohësh është e përkushtuar në mbështetje të institucioneve në nxitjen e marrëdhënieve dhe dialogut më të mirë ndërmjet komuniteteve. Sporti është një mënyrë e shkëlqyer për të ndërtuar ura, për të rritur mirëkuptimin dhe për të promovuar respektin, duke sfiduar gjithashtu stereotipet”, tha Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Michael Davenport.
Kryetarja e Komunës së Graçanicës, Liljana Šubarić , falënderoi OSBE-në për organizimin e këtij aktiviteti dhe për vlerësimin e përpjekjeve të komunës.
“Komuna dëshmoi për të katërtin vit se qëndron për bashkëpunim. Mendojmë se mënyra më e mirë për të forcuar bashkëpunimin ndërkomunal është përmes të rinjve”.
Drejtoresha e Qendrës Rinore në Obiliq, Zelushe Kelmendi, qendër që është pjesëmarrëse për të katërtin vit, theksoi se ky turne u mundëson të rinjve shoqërimin dhe thyerjen e barrierave ndërmjet komuniteteve të ndryshme.
Ky është viti i katërt radhazi që Misioni i OSBE-së mbështet kampin multietnik të tenisit, duke vazhduar me sukseset e viteve të mëparshme. Përveç ofrimit të një mundësie për një mjedis të shëndetshëm dhe mbështetës për lojtarët e rinj, kampi i ndihmon edhe në kapërcimin e barrierave gjuhësore dhe të ndërveprojnë me njëri-tjetrin.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Vë theks në fuqizimin e të rinjve përmes dialogut dhe aktiviteteve ndëretnike, duke njohur potencialin e tyre në promovimin e paqes dhe sigurisë.