Misioni i OSBE-së në Kosovë përmbyll serinë e punëtorive mbi dhunën seksuale dhe ngacmimin seksual për nxënës të shkollave të mesme
Më 31 maj 2023, Misioni i OSBE-së në Kosovë përfundoi serinë prej pesë punëtorish për nxënës të shkollave të mesme mbi dhunën seksuale dhe ngacmimin seksual. Organizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MESTI), punëtoritë kanë synuar pasurimin e mëtejmë të njohurive të pjesëmarrësve rreth këtyre temave dhe përgatitjen e tyre për të organizuar aktivitete të ngjashme për bashkëmoshatarët e tyre, pas një raundi prej pesë punëtorish te mbajtura vitin e kaluar.
Pesë punëtoritë u mbajtën në Gjilan, Mitrovicë Jugore, Prishtinë, Gjakovë dhe Prizren dhe u ndoqën nga 71 nxënës të shkollave të mesme. Nxënësit mësuan rreth përkufizimeve të dhunës me bazë gjinore, sulmit seksual, ngacmimit seksual, shërbimeve në dispozicion dhe rëndësisë së raportimit të hershëm, si dhe rreth roleve të institucioneve të ndryshme në trajtimin dhe adresimin e rasteve të dhunës seksuale dhe ngacmimit seksual.
“Bazuar në Anketën e OSBE-së për Sigurinë dhe Mirëqenien e Grave të publikuar në vitin 2019, pothuajse një e treta e të gjitha grave, ose 29%, thonë se kanë përjetuar të paktën një formë të ngacmimit seksual që nga mosha 15 vjeçare. Dhuna ndaj grave është veçanërisht e lartë tek nxënësit me 60%, dhe është shkak e pasojë e pabarazisë gjinore, e nxitur nga normat dhe qëndrimet ekzistuese”, tha Valentina Bejtullahu Turjaka nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.
“Nga ana tjetër, ndonëse raportimi i hershëm i dhunës seksuale është thelbësor për të siguruar qasje në drejtësi për viktimat gjatë proceseve gjyqësore, ai mbetet i ulët kryesisht për shkak të mungesës së mbështetjes nga familja, shkolla dhe shoqëria, e ndjekur nga stigma dhe frika nga kërcënimi. Shumë nxënës nuk janë të vetëdijshëm se ngacmimi seksual është vepër penale dhe e dënueshme me ligj në Kosovë, dhe shumë prej tyre nuk kanë informacion mbi shërbimet në dispozicion dhe mekanizmat e raportimit. Prandaj, ndërgjegjësimi i gjeneratave të reja mbi këtë shkelje të ndjeshme të të drejtave të njeriut është domosdoshmëri për të thyer heshtjen, për të fuqizuar vajzat dhe për të parandaluar çdo formë diskriminimi dhe dhune mes tyre”, shtoi ajo.
Gjatë punëtorive, përmes ushtrimeve në grup, pjesëmarrësit diskutuan edhe për metodologjinë dhe hartuan plan veprimi se si të organizojnë punëtori për bashkëmoshatarët e tyre. Deri më tani, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së dhe psikologëve të shkollave, nxënësit e trajnuar kanë organizuar 12 sesione informuese për dhunën seksuale dhe ngacmimin seksual për rreth 290 nxënës tjerë. Përveç kësaj, ata kanë krijuar edhe vepra arti dhe posterë me mesazhe mbi dhunën seksuale dhe mekanizmat e raportimit. Gjatë gjithë vitit 2023, me mbështetjen e psikologëve të shkollave, nxënësit do të organizojnë sesione informuese shtesë për dhunën seksuale dhe ngacmimin seksual për më shumë nxënës.
Misioni i OSBE-së në Kosovë është i mandatuar për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e njeriut dhe të komuniteteve, si dhe demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike.