“Si të shoh? – Kosovë:” OSBE dhe DokuFest bashkojnë të rinjtë nga komunitete të ndryshme përmes kampit të shkëmbimit ndërkulturor
Misioni i OSBE-së në Kosovë, në bashkëpunim me DokuFest-in, e kanë përmbyllur më 7 maj 2023 kampin e shkëmbimit ndërkulturor tetëditor si pjesë e nismës "Si të shoh? – Kosovë” (“How do I see you? – Kosovo).
Aktiviteti bashkoi 14 të rinj nga komunitete, zona dhe prejardhje të ndryshme, me qëllim që të njihen më mirë me njëri-tjetrin dhe së bashku të zbërthejnë paragjykimet që mund të ndikojnë në dialogun dhe mirëkuptimin e ndërsjellë. Aktiviteti ka përfshirë vizita kulturore në mbarë Kosovën, takime me organizata që promovojnë shkëmbimet kulturore dhe dialogun, dhe eksplorim të edukimit medial dhe filmik si mjete për të shkëmbyer përvoja dhe për të tejkaluar dallimet.
Pjesëmarrësit patën mundësinë që të sfidojnë pikëpamjet e tyre fillestare se çfarë do të thotë të jetosh në shoqëri shumëkulturore. Ata iu referuan kampit si mundësi e shkëlqyeshme për të njohur më mirë komunitetet e ndryshme që jetojnë në Kosovë, dhe për të zbuluar pasurinë e të qenit shoqëri e larmishme dhe gjithëpërfshirëse.
“Falë kësaj mundësie, pata rastin të njihem me të rinj tjerë nga komunitete të ndryshme. Kemi shkëmbyer ide dhe pikëpamje dhe çka është më e rëndësishmja, e kemi ndarë këtë përvojë së bashku. Së bashku zbuluam vende të reja dhe u takuam me njerëz frymëzues. Tani mezi pres t'u them të gjithë miqve të mi se sa i mrekullueshëm ishte ky rrugëtim”, tha Doruntina Azemi, njëra nga pjesëmarrësit.
Emre Ismaili, një tjetër pjesëmarrës, tha: “Ky kamp na ka bërë që t’i vlerësojmë nuancat e diversitetit”.
Si rezultat i këtij aktiviteti, gjatë festivalit të filmit DokuFest i cili do të mbahet nga data 4 deri më 12 gusht 2023 në Prizren, do të organizohet ekspozitë me materiale audio dhe video nga intervistat e pjesëmarrësve me njëri-tjetrin. Këto intervista përqendrohen në këndvështrimet e tyre rreth dialogut ndërmjet dhe brenda komuniteteve, duke ilustruar rrugëtimin e tyre dhe “si e shohin ata njëri-tjetrin”.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ishte nga mbështetësit e parë të DokuFestit që nga viti 2002, i cili përveç vetë festivalit punon edhe me të rinjtë në kinematografi për të zhvilluar produksionet e tyre personale kreative mbi dialogun dhe tregimet për të drejtat e njeriut.