Misioni i OSBE-së prezanton Udhëzuesin për punë efektive të Mekanizmave Komunal kundër Dhunës në Familje
Misioni i OSBE-së në Kosovë prezantoi të mërkurën Udhëzuesin për Punë Efektive të Mekanizmave Koordinues Komunal kundër Dhunës në Familje (MKKDHF), një mjet për të lehtësuar reagimin më efektiv dhe më të koordinuar ndaj rasteve të dhunës në familje.
MKKDHF-të synojnë të forcojnë bashkërendimin, shkëmbimin e informacionit dhe angazhimin e të gjithë akterëve përkatës në nivel lokal. Ato përbëhen nga përfaqësues të gjykatave dhe prokurorive, Policisë së Kosovës, drejtorive përkatëse komunale, Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, Qendrave për Punë Sociale, strehimoreve lokale për viktimat e dhunës në familje dhe organizatave të shoqërisë civile.
Udhëzuesi mbulon bazën ligjore dhe qëllimin e MKKDHF-ve dhe lehtëson një qasje të koordinuar shumë-institucionale, e cila përfshin mbledhjen e të dhënave, raportimin, trajnimin dhe ngritjen e kapaciteteve për anëtarët e MKKDHF-ve.
“Ne të gjithë e kuptojmë se sa e rëndësishme është të punojmë së bashku për të parandaluar dhe trajtuar problemin e dhunës në familje. MKKDHF-të, si organe koordinuese në nivel lokal, janë një hap në drejtimin e duhur,” tha Ambasadori Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.
“Udhëzuesi i publikuar sot duhet të shërbejë si një mjet praktik për të ndihmuar anëtarët të rrisin më tej efikasitetin e MKKDHF-ve përmes kuptimit më të mirë të roleve dhe përgjegjësive të tyre,” shtoi Ambasadori Davenport.
Udhëzuesi është pjesë e një projekti të mbështetur nga Qeveria Franceze, dhe është hartuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë pas vlerësimit të nevojave, takimeve të gjera me anëtarë të MKKDHF-ve, trajnimeve dhe punëtorive.
Ambasadori francez, Olivier Guerot, tha se Franca promovon zbatimin universal të Konventës së Stambollit si pjesë e përpjekjeve të saj në kuadër të diplomacisë feministe. “Financimi i këtij aktiviteti të OSBE-së është pjesë e promovimit të Konventës së Stambollit dhe zbatimit të saj. Ky është një mjet i shkëlqyer për të lehtësuar zbatimin praktik të Konventës dhe ne kishim kënaqësinë të mbështeteshim në përvojën dhe ekspertizën e Misionit të OSBE-së në Kosovë,” tha Guerot.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, theksoi se “lufta kundër dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave kërkon një përgjigje gjithëpërfshirëse dhe të mirë-koordinuar të të gjitha institucioneve dhe agjencive të përfshira në çdo rast që nga momenti i raportimit deri tek fuqizimi i viktimës dhe mundësimi i një jete të dinjitetshme, të pavarur dhe pa dhunë.”
Deri më sot, gjithsej 33 MKKDHF janë themeluar në shumicën e komunave të Kosovës, 20 prej tyre me mbështetjen e Misionit të OSBE-së. Me 18 maj 2023, Misioni i OSBE-së do të mbështesë themelimin e MKKDHF-së të 34-të në Shtërpcë.
Udhëzuesin në gjuhën shqipe, serbe, turke dhe angleze mund ta gjeni këtu: Guidelines for Effective Performance of Municipal Coordination Mechanisms Against Domestic Violence (MCMDVs) | OSCE