Të ndihmosh gratë rome të Prelluzhës që të qepin për stil dhe jetesë
Udhëtimi 30 minutësh me makinë nga selia e Misionit të OSBE-së në Kosovë na çon në fshatin Prelluzhë të komunës së Vushtrrisë, ku jeton një komunitet i vogël i romëve. Qielli është i errët në motin e ftohtë të shkurtit dhe rrugët e ngushta të fshatit janë pothuajse të zbrazëta dhe të qeta, por ndjenja ndryshon sapo i afrohemi Qendrës Mësimore në fshat.
Aty, personelin e Romano Anglunipe, OJQ-së që e drejton qendrën, nuk e shqetëson të ftohtit pasi ata kryejnë me gëzim detyrat e tyre derisa përgatiten të marrin një donacion të makinave të qepjes nga OSBE.
Në mesin e njerëzve që na pritën përzemërsisht janë Elma dhe Almira Emini dhe Florije Burgazi, përfituese të donacionit. Të trija ishin në mesin e një grupi më të madh të grave që ndoqën kursin tre-mujor të rrobaqepësisë të organizuar nga Misioni i OSBE-së me OJQ-të Romano Anglunipe dhe Hareja në vjeshtën e vitit 2021, me qëllim që t'i mësojnë shkathësitë të cilat do t’iu ndihmojnë për gjenerimin e të ardhurave.
Formësimi i së ardhmes
Ndërsa personeli i Misionit të OSBE-së dhe Romano Anglunipe vendosin makineritë në dhomën tjetër, ulemi me Elmën, Almirën dhe Florijen për një bisedë. Ato thonë se kursi i rrobaqepësisë ishte shumë i dobishëm dhe u dha atyre shkathtësitë për të gjetur punë dhe madje për të filluar biznesin e tyre në të ardhmen, por duke qenë se nuk kishin makineri, nuk kishin se si t'i përdornin ato shkathtësi.
“Nuk kishim makina të qepjes apo kushte të punës, por kishim njohuritë që fituam, andaj e vijuam aktivitetin e OSBE-së për Fuqizimin Ekonomik të Grave në gusht të vitit 2022 dhe kërkuam mbështetje. Pas një kohe të shkurtër, u gëzuam kur mësuam se do të merrnim disa makina të qepjes si donacion për të nisur punën tonë”, thotë Elma 20-vjeçare.
Ndonëse i vogël, sipas Elmës, donacioni u ndihmon shumë në formësimin e të ardhmes të tyre.
“Mendoj se kemi bërë një hap të madh në komunitetin tonë, pasi, siç e dini, gratë dhe vajzat rome rrallë punojnë dhe janë kryesisht të papuna, dhe asnjëra nuk ka biznes të vetin. Konsiderojmë se kemi bërë hap të madh dhe shpresojmë të kemi sukses”, shton ajo.
Hapa të vegjël për ëndrra të mëdha
Kur i pyesim se çfarë planesh kanë për pesë vitet e ardhshme, Elma qesh me nervozizëm dhe ngre supet. “Është më mirë nëse themi ëndrra. Nuk mund të planifikojmë shumë, por ëndrra jonë është të hapim bizneset tona”, thotë ajo.
Shtatëmbëdhjetëvjeçarja Almira, më e reja e grupit, shton: “Ëndrra ime është të jem dizajnere. Më pëlqen të vizatoj, veçanërisht fustanet dhe do të ndihmoj në dizajnimin e veshjeve që do të bëjmë si grup.” “Unë do ta bëj qepjen”, thotë Elma, ndërsa Florija hidhet shpejtë me të qeshur, “Unë do ta bej hekurosjen, atëherë!”
Të gjitha ato duken entuziaste, por optimiste të kujdeshme, për mundësinë e përdorimit të talentit dhe trajnimit të tyre.
Hapja e biznesit si qëllim përfundimtar
Duke i uruar të vajzat për makineritë e tyre të reja, Bekim Karaxhija nga Misioni i OSBE-së në Kosovë thotë: “Kjo është pikërisht ajo që jemi përpjekur të arrijmë me këtë projekt: t'i ndihmojmë këto vajza të gjenerojnë të ardhura dhe në fund të hapin biznesin e tyre”.
Ndërsa makineritë montohen përfundimisht, Elma, Almira dhe Florija nënshkruajnë dokumentet e pranim-dorëzimit dhe shkojnë në dhomën tjetër për t'i provuar ato.
"Ky do të jetë vendi ynë i punës dhe ne do të jemi gratë e para në komunitetin tonë që do të jenë rrobaqepëse dhe shpresojmë ta kemi biznesin tonë," thotë Elma ndërsa ulet për ta provuar njërën makinë.
“Tani ato i kanë makineritë dhe hapësirën e punës. Suksesi do të varet tërësisht nga ato”, thotë Selajtin Emini drejtor i Romano Anglunipe.
Elma dhe shoqet e saj tashmë janë përgatitur për këtë. Elma thotë se tezja e saj do të jetë klienti i saj e parë, ndërsa Almira tashmë ka punuar në skicat e saj.
“Ne do të japim gjithçka nga vetja për ta realizuar ëndrrën tonë,” thanë ato në përfundim.