Misioni i OSBE-së në Kosovë mbështetë themelimin e Mekanizmit Koordinues kundër Dunës në Familje në komunën e Novobërdës
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Michael Davenport, mori pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit për themelimin e Mekanizmit Koordinues kundër Dhunës në Familje (MKDHF) në Komunën e Novobërdës.
Ambasadori Davenport theksoi se krijimi i mekanizmit koordinues komunal paraqet një hap të madh para dhe dëshmon përkushtimin e Komunës së Novobërdës për reagim të përbashkët institucional më efektiv në luftimin e dhunës në familje.
“Funksionimi efektiv i Mekanizmit Koordinues mund të ndihmojë në ofrimin e mbështetjes dhe shërbimeve të nevojshme për viktimat e dhunës në familje, ofrimin e sigurisë dhe përmirësimin e efikasitetit të shërbimeve me bazë në komunitet për të parandaluar dhunën në familje para se te shfaqet," tha ai.
Nazlie Bala, këshilltare e ministres së Drejtësisë, tha se e tërë puna, angazhimi dhe përkushtimi nuk do të kishte qenë i mundur pa ndihmën dhe mbështetjen e organizatave ndërkombëtare. “Dëshiroj të veçoj Misionin e OSBE-së në Kosovë, sepse e di se çfarë ka bërë Misioni në fushën e të drejtave të njeriut, veçanërisht në fushën e dhunës në familje. Misioni ka ndihmuar drejtpërsëdrejti si hartues i strategjive dhe planeve të shumta të veprimit për trajtimit e dhunës në familje”, tha ajo.
Palë nënshkruese të Memorandumit të Mirëkuptimit janë përfaqësues të gjykatës dhe prokurorisë, Policisë së Kosovës, drejtorive përkatëse komunale, Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, Qendrës për Punë Sociale, strehimores lokale për viktimat e dhunës në familje dhe organizatave të shoqërisë civile.
Ky është mekanizmi i 19-të koordinues komunal kundër dhunës në familje i krijuar me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë. Këta mekanizma synojnë të forcojnë bashkërendimin, shkëmbimin e informatave dhe angazhimin e gjithë akterëve përkatës në nivel lokal, dhe marrin hapa konkretë për të përmirësuar parandalimin e dhunës në familje dhe për të forcuar mbrojtjen, trajtimin dhe riintegrimin e viktimave.