Misioni i OSBE-së në Kosovë përfundon serinë e ligjëratave për edukimin mediatik dhe informativ në tri universitete publike
Në periudhën mes tetorit e nëntorit 2022, Misioni i OSBE-së në Kosovë organizoi 48 ligjërata mbi edukimin mediatik dhe informativ për studentët në universitetet publike në Mitrovicë Jugore, Pejë dhe Gjakovë.
Në këto ligjërata morën pjesën gjithsej 185 studentë, të cilët u pajisen me aftësi kyçe të edukimit mediatik. Ata shtjelluan tema specifike, si efektet e mediave të reja, konteksti i ri i komunikimit, ndërtimi i lajmeve, roli i mediave rreth stereotipeve gjinore, edukimi reklamues, multikulturalizmi në media, propaganda, fushatat politike, lajmet e rreme, verifikimi dhe kontrollimi i fakteve.
Për organizimin e këtyre ligjëratave u ndoq shembulli i njëjtë i bashkëpunimit me universitetet publike në Prizren e Gjilan më 2021, si dhe hartimit të kurrikulës gjithëpërfshirëse të edukimit mediatik për arsimin e lartë më 2019, së bashku me Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.
Viteve të fundit, për shkak të domosdoshmërisë që nxënësit të zotërojnë shkathtësi të edukimit mediatik dhe informativ në epokën aktuale digjitale, kjo lëndë ishte përfshirë si lëndë zgjedhore në shkollat fillore dhe të mesme, si dhe në disa universitete. Përveç kësaj, universitetet publike në Prishtinë, Gjilan dhe Gjakovë, me planet e tyre aktuale të studimit, parashohin që edukimi mediatik dhe informativ të mësohet si lëndë e obligueshme nga viti 2023/2024 e tutje. Kjo do t'u mundësojë studentëve që t’i analizojnë mediat, përfshirë si ndikojnë ato në jetën dhe komunitetet e tyre, por edhe që të përgatiten për karrierën e tyre.
“Përmes punës sonë me universitetet kemi inkurajuar studentët që të kenë mendim kritik për përmbajtjet që marrin çdo ditë, në mënyrë që t’i dallojnë dezinformatat dhe lajmet e rreme. Jam shumë i kënaqur që tani studentët e universiteteve të Prishtinës, Gjilanit dhe Gjakovës edukimin mediatik do ta kenë lëndë të obligueshme”, tha shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Michael Davenport. “Jam i gëzuar që bashkëpunimi ynë i kamotshëm me institucionet e arsimit të lartë është duke i ndihmuar të rinjtë që të orientohen në peizazhin kompleks mediatik,” shtoi ai.
Viteve të fundit Misioni i OSBE-së në Kosovë ka realizuar një sërë aktivitetesh në media dhe informim, përfshirë emisione edukative, fushata dhe ligjërata për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme dhe universitetet publike. Në bashkëpunim me DokuFest, Misioni organizoi seminare trajnimi për rreth 70 mësimdhënës të shkollave të mesme, në periudhën mes 2018 dhe 2022.
Misioni i OSBE-së inkurajon të gjitha universitetet publike që të integrojnë edukimin mediatik si lëndë bazë, ndërsa do të vazhdojë të mbështesë arsimin e lartë në Kosovë për ta realizuar këtë qëllim.