Misioni i OSBE-së mbështet Policinë e Kosovës në çështjet e disiplinës dhe llogaridhënies
Për të ndihmuar Policinë e Kosovës (PK) në përmirësimin e hetimeve të brendshme dhe kontrollin e evidencës penale, Misioni i OSBE-së mbështeti një vizitë studimore treditore për pesë menaxherë të lartë të Divizionit të Standardeve Profesionale të PK-së në Inspektoratin e Përgjithshëm të Xhandarmërisë Kombëtare dhe Policinë Kombëtare të Francës në Paris.
Qëllimi i kësaj vizite ishte që delegatët e PK-së të njihen me praktikat më të mira në menaxhimin e hetimeve të brendshme dhe rasteve disiplinore të punonjësve të PK-së. Për t’i shtuar vlerë premisës se agjencitë ligjzbatuese i japin llogari çdokujt pavarësisht mendimit të tyre për sigurinë publike, institucionet e zbatimit të ligjit janë të detyruara të sigurohen se zyrtarët e zbatimit të ligjit veprojnë duke respektuar ligjin dhe procedurat.
Gjatë kësaj vizite, udhëheqësit e lartë të PK-së u informuan nga zyrtarët e Inspektoratit të Përgjithshëm të Xhandarmërisë Kombëtare dhe Policisë Kombëtare Franceze lidhur me disiplinën policore, përfshirë zbatimin e politikave të pezullimit gjatë dhe pas hetimeve disiplinore, si dhe lidhjen mes hetimeve disiplinore dhe penale.
Kolonel Izet Azizi, drejtor i Divizionit të Standardeve Profesionale të PK-së, tha se “vizita ishte shumë e frytshme sepse na ofroi mundësinë për t’u njohur me praktikat e zhvilluara të Xhandarmërisë dhe Policisë Franceze në fushën e hetimeve të brendshme dhe disiplinës”.
“Njohuritë që kemi marrë gjatë kësaj vizite studimore do të na ndihmojnë në aplikimin e ndryshimeve të parashikuara në rregulloret e hetimeve të brendshme dhe disiplinore brenda PK-së. Ishte një mundësi e jashtëzakonshme për ne dhe dëshirojmë të falënderojmë Misionin e OSBE-së për mbështetjen e vazhdueshme për PK-në”, shtoi ai.
Betim Llapashtica, Zyrtar Nacional për Zhvillimin e Policisë pranë Misionit të OSBE-së, tha se “Misioni ka qenë i përfshirë në mbështetjen e policisë për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve të saj operacionale në fushën e hetimeve të brendshme dhe disiplinore, duke i ofruar policisë një mundësi të jashtëzakonshme për t’i avancuar mekanizmat e saj disiplinorë. ”
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave njeriut dhe të drejtave të komuniteteve, si dhe demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni mbështet në vazhdimësi Policinë e Kosovës dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit për t’i avancuar kapacitetet e tyre.