Ngritja e mirëqenies së grave të margjinalizuara përmes edukimit shëndetësor dhe ekzaminimeve mamografike
Derisa një grup i grave në një lagje të Fushë Kosovës banuar kryesisht nga komuniteti rom mblidhet për të marrë pjesë në një sesion edukimi shëndetësor, një kamion që bartë një aparat mamografik ngadalë parkon në një nga shtëpitë aty pranë.
Për fushatën e sivjetme të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, Misioni i OSBE-së në Kosovë, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, inicioi një qasje të re dhe më të drejtpërdrejtë për të arritur tek gratë nga komunitetet e cenueshme për të ndihmuar në përmirësimin e mirëqenies së tyre.
Së bashku, ata mblodhën një ekip profesionistësh të kujdesit shëndetësor i cili shkoi në 11 lagje anembanë Kosovës gjatë gjithë nëntorit për të biseduar me gratë dhe vajzat rreth edukimit shëndetësor, me fokus në parandalimin e kancerit të gjirit, por gjithashtu duke mbuluar tema si planifikimi familjar, shtatzënitë e shëndetshme dhe lindja, si dhe menopauza e shëndetshme.
Pas çdo sesioni, pjesëmarrësve iu ofrua mundësia për të bërë mamografi nga njësia mobile që vizitoi për herë të parë këto lagje.
Me fokus komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, në seanca morën pjesë 390 gra dhe vajza, duke kryer kështu 100 ekzaminime mamografike dhe 50 të tjera të planifikuara për ditët në vijim, si dhe duke shpërndarë 400 pako higjienike. Në disa lokalitete morën pjesë edhe gra boshnjake, serbe dhe gorane të Kosovës.
Dr. Flutura Ismajli Qosja, gjinekologe/obstetre në Qendrën Klinike Universitare, është figura kryesore e ekipit. Për një audiencë shumë të interesuar, ajo prezanton pikat kyçe për shëndetin riprodhues, sëmundjet seksualisht të transmetueshme, parandalimin dhe trajtimin, si dhe i kushton vëmendje të veçantë rëndësisë së kontrolleve të rregullta gjinekologjike, ekzaminimeve mamografike dhe vetë-ekzaminimeve për parandalimin e kancerit të gjirit.
Seancat, sipas saj, ishin shumë të suksesshme: “Ka pasur interesim të vërtetë nga gratë për të marrë më shumë informacion dhe këshilla për çështjet shëndetësore. Gjatë këtyre 11 seancave kemi hasur edhe në disa raste të dyshimta, të cilat natyrisht do të kenë nevojë për ekzaminime dhe verifikime të mëtejshme nga radiologët”, thotë ajo.
Drita Kolloviqi, 41-vjeçare, nënë e katër fëmijëve dhe gjyshe e gjashtë nipave dhe mbesave, ishte ndër pjesëmarrëset më aktive në seancën e fundit në Fushë Kosovë. “Sot solla disa mike me vete dhe jam shumë e kënaqur me informatat që na u dhanë. Më pëlqen të ndjek trajnime të tilla dhe kur shkoj në shtëpi, e ndaj informacionin me vajzat, motrat dhe kunatat e mia”, thotë ajo.
Ridvan Gashi, drejtor i organizatës rinore “Kultura multietnike e Kosovës”, i cili ndihmoi në organizimin e sesionit në Fushë Kosovë, thekson se nuk ka shumë vetëdije për këto tema në zonat rurale, veçanërisht tek gratë rome.
“Për shkak të pengesës gjuhësore, distancës dhe kushteve socio-ekonomike, ato neglizhojnë shëndetin e tyre dhe nuk bëjnë kontrolle të rregullta dhe për fat të keq, për shkak të zbulimit me vonesë, disa gra në lagjen tonë të grave kanë humbur betejën me kancerin,” thotë ai.
“Kjo është arsyeja pse ne donim të sillnim mesazhin dhe mamografinë direkt në shtëpitë e tyre, në lagjen e tyre, në mënyrë që të kemi një ndikim të drejtpërdrejtë,” shton ai.
Kur Misioni i OSBE-së në Kosovë planifikoi seancat, kishte parasysh pikërisht këto lloje kufizimesh.
“Shumë nga gratë nga këto komunitete janë analfabete, jetojnë në kushte të vështira dhe nuk kanë bërë kurrë më parë mamografi”, thotë Bahrije Muqa nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.
“Pra, ne donim të vinim tek ato dhe t'u ofronim këtë mundësi. Shumë prej tyre e perceptuan këtë shumë pozitivisht, duke e parë se dikush po kujdeset për shëndetin e tyre.”
Kur Dr. Qosja përfundon prezantimet e saj, ajo vazhdon të bisedojë me gratë veçmas dhe të thellohet më shumë rreth shqetësimeve të tyre, përpara se ato të shkojnë te kamioni i mamografisë.
“Ne me të vërtetë shpresojmë që me informacionin që ndajmë, të rrisim ndërgjegjësimin e tyre për rëndësinë e vetëkontrollit dhe kontrolleve të rregullta mjekësore, dhe në këtë mënyrë të parandalojmë rastet e mundshme. Nëse gjatë këtyre seancave dhe kontrollove arrijmë të zbulojmë dy-tre raste në fazat e hershme, atëherë konsideroj që kjo fushatë ka qenë shumë e suksesshme dhe ja ka vlejtur”, përfundoi ajo.