Misioni i OSBE-së në Kosovë organizon vizita në objektet e trashëgimisë kulturore dhe fetare për nxënësit e shkollave fillore
Për t’i mësuar nxënësit e shkollave për rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe fetare, Misioni i OSBE-së në Kosovë organizoi katër vizita për mbi 130 nxënës të shkollave fillore dhe mësuesit e tyre në lokacione të ndryshme në Prizren.
Qëllimi i vizitave ishte që nxënësit nga komunitete të ndryshme të fitojnë më shumë njohuri për trashëgiminë kulturore dhe fetare, si dhe të kuptojnë dhe vlerësojnë diversitetin.
Nxënësit vizituan Xhaminë e Sinan Pashës, Kishën Ortodokse Serbe të Shën Gjergjit, Katedralen Katolike të Zojës Ndihmëtare, si dhe kompleksin memorial të Lidhjes së Prizrenit. Ata u informuan për historinë e këtyre monumenteve dhe vlerën e tyre për shoqërinë, si dhe për rëndësinë e mbrojtjes dhe ruajtjes së objekteve kulturore dhe fetare të komuniteteve të ndryshme.
“Ruajtja e trashëgimisë së pasur dhe të larmishme në mbarë Kosovën kërkon mbështetje nga të gjithë pjesëtarët e shoqërisë, ndërsa përfshirja e të rinjve në këtë ka rëndësi të madhe. Shpresojmë që vizitat si këto do të ndihmojnë në angazhimin për ruajtjen e tyre”, tha Kavya Rajan, Drejtore e Departamentit për të Drejta të Njeriut dhe Komunitete në Misionin e OSBE-së në Kosovë.
Liridon Agushi, mësimdhënës i historisë në Shkollën Fillore Ismail Luma në Lipjan nënvizoi rëndësinë e kësaj vizite studimore për familjarizimin e nxënësve me trashëgiminë e larmishme kulturore dhe fetare në Kosovë. “Falënderojmë OSBE-në për organizimin e kësaj vizite, e cila është e para e këtij lloji për shkollën tonë, e që ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit që të kuptojnë dhe promovojnë multikulturalizmin dhe respektin për njëri-tjetrin.”
Misioni i OSBE-së ka mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni në vazhdimësi mbështet angazhimin për të mbrojtur dhe promovuar trashëgiminë e pasur dhe të larmishme kulturore dhe fetare në Kosovë.