Misioni i OSBE-së trajnon zyrtarët e ri policorë rreth parandalimit të dhunës në familje
Më 21 tetor, Misioni i OSBE-së në Kosovë përmbylli serinë prej pesë punëtorish mbi parandalimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës në familje për 144 zyrtarë të sapoemëruar të Policisë së Kosovës (PK).
Punëtoritë kishin në fokus kuadrin ligjor, përfshirë detyrimet dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga Konventa e Stambollit. Në mesin e temave që u shtjelluan ishin edhe përkufizimi i dhunës në familje dhe i formave të dhunës të tilla si ajo fizike, psikologjike, seksuale dhe ekonomike. Më tej, pjesëmarrësit u informuan rreth mekanizmave ndërinstitucionalë, ndarjes së detyrave dhe përgjegjësive mes akterëve të ndryshëm si dhe për shërbimet që duhet t’u ofrohen viktimave. Zyrtarët policorë u trajnuan po ashtu rreth detyrave, përgjegjësive dhe prioriteteve të PK-së sipas procedurës standarde përkatëse të veprimit.
“Është e rëndësishme që zyrtarët policorë të ndjekin trajnime themelore për trajtimin e dhunës në familje, si edhe të vazhdojnë së avancuari aftësitë dhe njohuritë e tyre rreth mënyrës së reagimit profesional ndaj rasteve të dhunës në familje,” tha Edward Anderson, Drejtor i Departamentit për Siguri dhe Rend Publik pranë Misionit të OSBE-së në Kosovë.
“Qasja e kujdesshme ndaj viktimave, ruajtja e provave, hetimi profesional dhe veprimet përcjellëse mund të ulin rrezikun e lëndimit dhe vuajtjes së mëtejme të viktimave. Në këto punëtori të dedikuara për zyrtarët të cilët u janë bashkuar radhëve të PK-së rishtas, nëpërmjet skenarëve konkretë kemi vënë theksin në aspektet më të rëndësishme të trajtimit të rasteve të tilla,” shtoi ai.
Zyrtarët policorë u njoftuan po ashtu me procesin e vlerësimit të rrezikshmërisë që realizohet nga ana e policëve reagues të parë dhe, në fazat e mëtutjeshme, hetuesit e dhunës në familje dhe mbikëqyrësit përkatës. Ky proces ngërthen vlerësimin e rreziqeve dhe të shkallës së rrezikshmërisë që i kanoset viktimës nga kryerësi. Veç kësaj, u diskutua nevoja për intervistim të viktimave nga zyrtarë të trajnuar enkas për ta parandaluar viktimizimin e sërishëm të tyre, dhe u njoftuan për urdhrat mbrojtës, përfshirë urdhrat mbrojtës emergjentë që mund t’i nxjerrë policia jashtë orarit të rregullt të punës së gjykatave për të siguruar mbrojtjen e viktimave.
Misioni i OSBE-së në Kosovë është i mandatuar me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, demokratizim, si dhe me zhvillimin e sektorit të sigurisë publike, dhe mbështetë rregullisht Policinë e Kosovë dhe agjencitë tjera ligjzbatuese në ngritjen e kapaciteteve të tyre.