Misioni i OSBE-së në Kosovë organizoi edicionin e katërt të programit ‘Media Fellowship’ për gazetarë të rinj
Misioni i OSBE-së në Kosovë mbajti edicionin e katërt të programit për gazetarë të rinj ‘Media Fellowship,’ nismë kjo vjetore që synon t’i zhvillojë gazetarët e rinj dhe të krijojë një rrjet bashkëpunëtorësh nga komunitete të ndryshme.
Nga 13 deri më 18 qershor 2022, tetë gazetarë të rinj nga e gjithë Kosova patën mundësinë të vizitojnë shoqatat e gazetarëve, transmetuesit publikë, këshillat e shtypit dhe mediat hulumtuese në Prishtinë dhe Beograd. Ata mësuan drejtpërsëdrejti për standardet e raportimit profesional, standardet e gazetarisë, narrativat e balancuara, edukimin mediatik dhe të informacionit, si dhe respektimin e kodeve të etikës.
“Misioni i OSBE-së mbështet rrjetet e tilla, si programi për gazetarët e rinj, në të cilat bashkohen profesionistë mediatikë me përvojë me gazetarë të rinj nga komunitete të ndryshme etnike për të shkëmbyer përvoja dhe për të mundësuar transferimin e ekspertizës,” tha ambasadori Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Krahas mbështetjes së gazetarëve të rinj në zhvillimin e tyre profesional, programi gjithashtu synon të përmirësojë kohezionin social dhe marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve, synim ky i përbashkët që e ndajmë me median”, shtoi ai.
“E vlerësoj mundësinë që më është dhënë të shoh nga afër se si punojnë kolegët e mi këtu në Kosovë dhe në Beograd dhe në këtë mënyrë të kontribuojmë në shkëmbimin e ideve dhe përvojave të ndryshme në media, gjë që na ndihmon të zhvillohemi profesionalisht. Kjo ngjarje me ka ndihmuar shumë, si gazetare e re në fillet e karrierës sime,” tha Afërdita Lukaj nga TV Kanal 10.
Për Urosh Millosavleviq nga TV Most, ky program “ishte mundësi e shkëlqyer për të takuar njerëz nga të dyja anët dhe për të parë se në fakt jemi shumë të ngjashëm, krahas punës që na lidh.”
Gazetarë të tjerë të përzgjedhur këtë vit janë: Vlerë Mehmeti (Koha Group), Agnesa Sahiti (Klan Kosova TV), Benita Zeneli (ATV), Nemanja Jakshiq (Radio Kontakt Plus), Teodora Zhivanoviq (TV Most), dhe Dragana Vukosavleviq (portali i lajmeve KoSSev).
Ata i shtohen grupit të të diplomuarve të programit të gazetarëve të rinj, që deri më sot numëron rreth 30 gazetarë nga komunitete të ndryshme në Kosovë.
Në shtator, grupi do të bëjë një vizitë të ngjashme studimore në Tiranë, ku është planifikuar të takohen me përfaqësues të institucioneve të medias, organet rregullative dhe media të ndryshme.
I nisur në vitin 2017, me një ndërprerje dyvjeçare gjatë pandemisë, programi i OSBE për gazetarët e rinj kultivon talentin vendor gazetaresk duke promovuar barazinë gjinore, multietnicitetin dhe pajtimin në Kosovë.