OSBE, ODIHR promovojnë qeverisjen e përgjegjshme gjinore dhe përfshirjen e grave në vendimmarrje në komuna
Më 10 dhe 11 maj 2022, në bashkëpunim me Zyrën për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), Misioni i OSBE-së në Kosovë ka mbajtur një punëtori dyditore me temë qeverisjen e përgjegjshme gjinore dhe rolin e grave në proceset e vendimmarrjes në nivel komunal.
Punëtoria mblodhi gra të zgjedhura si dhe të emëruara rishtas në pozita të pushtetit lokal, dhe u fokusua në atë se si gratë në pozita vendimmarrëse mund ta përdorin autoritetin e tyre për ta avancuar barazinë gjinore në komunitetet e tyre. Gjatë punëtorisë u prezantuan mjete konkrete dhe modele të praktikave më të mira për kontekstualizim të mëtejmë të diskutimit, si ilustrime të mënyrave në të cilat buxhetimi i përgjegjshëm gjinor mund të përdoret për të ndërtuar praktika të qeverisjes komunale më gjithëpërfshirëse dhe më të ndjeshme ndaj çështjeve gjinore.
Në fjalën e tij, zëvendësshefi i Misionit të OSBE-së Kilian Wahl tha se ka dëshmi të qarta se qeverisja e përgjegjshme gjinore është më efektive dhe se shpie përfundimisht në vendime më të mira dhe komuna më të suksesshme. Z. Wahl u zotua se Misioni i OSBE-së në Kosovë do të vazhdojë së mbështeturi zyrtaret dhe zyrtarët e komunave në avancimin e mëtejmë të shkathtësive dhe kapaciteteve të tyre në këtë fushë.
“Gjatë punëtorisë na u konfirmua se përdorimi i mjeteve dhe mekanizmave të barazisë gjinore është thelbësor për të pasur qeverisje më efektive dhe më të përgjegjshme ndaj çështjeve gjinore, si për shembull përmes hartimit dhe zbatimit të planeve komunale të veprimit gjinor dhe buxhetimit gjinor” tha Marqe Selmanaj, nënkryetare e Komunës së Klinës.
Diskutimet nxorën në pah sfidat me të cilat përballen gratë në punën e tyre të përditshme, si mungesa e besimit të eprorëve për t’iu dhënë grave vendimmarrëse përgjegjësi domethënëse apo mundësi për zhvillim të mëtejmë dhe mungesa e solidaritetit ndërmjet grave, me ç’ rast pjesëmarrëset vunë në dukje se uniteti më i madh ndërmjet zyrtareve nëpër komuna mund të çojë në ndryshime pozitive.
“Përfshirja e zërave të grave në politika dhe planifikim kontribuon në ndërtimin e qëndrueshëm të komuniteteve lokale dhe u mundëson që të gjithëve të zhvillohen në mënyrë të barabartë, ngaqë politikat e ndjeshme ndaj çështjeve gjinore janë në dobi si të grave ashtu edhe burrave duke krijuar një potencial transformues ku perceptimet, praktikat dhe vlerat zhvillohen për t'i shërbyer mirëqenies së komuniteteve lokale,” tha Dr. Yulia Netesova, shefe e Njësisë për Qeverisje Demokratike dhe Gjinore në kuadër të ODIHR.