Misioni i OSBE-së përmbyllë programin e trajnimit fillestar për anëtarët e rinj të kuvendeve të komunave të Kosovës
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka përmbyllur serinë prej 23 punëtorish për anëtarët e kuvendeve të komunave të zgjedhur për herë të parë në zgjedhjet lokale të tetorit 2021.Trajnimet u përqendruan në rolin e anëtarëve të kuvendeve në përfaqësimin e interesave të elektorateve të tyre përkatëse dhe avancimin e funksionimit të kuvendeve të komunës pjesë e së cilave janë.
Për më se një muaj e gjysmë, 310 anëtarë të rinj të kuvendeve komunale nga që të 38 komunat e Kosovës morën pjesë në punëtoritë në fjalë dhe patën rastin të diskutonin rreth mandatit të tyre legjislativ, si edhe rolit të tyre përfaqësues e mbikëqyrës. Seanca trajnimi të dizajnuara enkas u mbajtën dhe për kryesuesit e kuvendeve të komunave që kanë marrë përsipër këtë pozitë për herë të parë, me fokus në marrëdhëniet me publikun dhe komunikimin me mediat.
Gjatë punëtorive në fjalë u trajtuan po ashtu dhe pajtueshmëria me kornizën ligjore dhe parimet e qeverisjes së mirë, kriteret ligjore për buxhetimin komunal, aspekte të barazisë gjinore, si edhe mekanizmat për pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e komuniteteve.
“Mbi 60% e anëtarëve të kuvendeve komunale janë të ri dhe mbajnë për herë të parë pozitë të zgjedhur me votë, andaj angazhimi në rolin dhe përgjegjësitë e tyre të mbikëqyrjes, madje sa më herët në mandatin e tyre që të jetë e mundur, është me rëndësi të veçantë. Kuptimi i veçantive të rolit që ata ushtrojnë do të bëjë të mundur funksionimin më efektiv të kuvendeve të komunave, të sigurojë kontroll të ndërsjellë dhe balancim ndërmjet degëve të pushtetit, si edhe t’u mundësojë që të kërkojnë llogari nga administrata komunale,” ka deklaruar Fatmir Zylfijaj, zyrtar nacional për programe në Misionin e OSBE-së në Kosovë, njëherësh menaxher i planifikimit, përmbajtjes dhe realizimit të trajnimeve fillestare.
Gjatë diskutimeve të zhvilluara në kuadër të këtyre punëtorive u shpërfaqën prioritete dhe nevoja të shumta të përbashkëta të kuvendeve të komunave, përfshirë përditësimin e rregulloreve përkatëse të punës së kuvendeve dhe përvetësimin udhëheqjes me mbledhjet e kuvendeve në pajtim me këto rregullore të punës. Gjatë muajve në vijim, Misioni i OSBE-së në Kosovë do të ofrojë mbështetje të mëtutjeshme në lidhje me këto çështje në komuna të përzgjedhura, të përshtatur sipas specifikave të secilës komunë.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, demokratizimin si edhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Ai mbështetë komunat për ofrimin e shërbimeve më të mira komunale përmes zhvillimit të kapaciteteve komunale të menaxhimit, promovimit të angazhimit të publikut, forcimit të kontrollit të ndërsjellë dhe balancimit ndërmjet degëve të pushtetit, bashkëpunimit ndërkomunal dhe përmirësimit të bashkërendimit ndërqeveritar.