Misioni i OSBE-së në Kosovë mbështetë Komisionin e Pavarur të Mediave në angazhimin e publikut për të kontribuar në përmbajtje më të mirë në media
Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) kanë nisur fushatë për angazhimin e publikut për të kontribuar në përmbajtje më të mirë në mediat audiovizuale, si edhe për të siguruar që transmetuesit të respektojnë ligjin dhe kodin e mirësjelljes.
Nëpërmjet një serie prej dhjetë videosh të animuara, fushata adreson shqetësimet e publikut rreth përmbajtjes jo të duhur në mediat audiovizuale dhe inkurajon publikun që të reagojë ndaj shkeljeve duke paraqitur ankesa në KPM. Fushata po ashtu vë theksin mbi nevojën që publiku të kuptojë përmbajtjen dhe porositë e pranishme në media, të cilat mund t'i zbërthejnë me anë të shkathtësive më të mira të arritura përmes edukimit mbi mediat dhe informacionin.
“Publiku duhet të informohet në mënyrë të duhur për sa i përket rolit dhe obligimeve ligjore të KPM-së, si organ që mbron të drejtat dhe dinjitetin e individëve në media. Për të ndihmuar në sigurimin e një cilësie më të mirë të përmbajtjes në media, është e nevojshme që publiku të edukohet mbi mediat dhe informacionin, si dhe të raportojë në mënyrë aktive shkeljet e kornizës ligjore”, tha Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.
“KPM ndërmori iniciativën për të transmetuar këto video të përgatitura me mbështetje dhe në bashkëpunim me OSBE-në, me qëllim të vetëdijesimit të publikut dhe promovimit të mekanizmave për adresimin e ankesave për përmbajtje të dëmshme në media”, tha Xhevat Latifi, kryetar i Komisionit të Pavarur për Media. Ndërsa vet KPM mund të iniciojë ankesë sipas detyrës zyrtare përkitazi me përmbajtjet në media audiovizuale që përbëjnë shkelje të rregulloreve të saj, në masë të madhe varet nga publiku që përmes paraqitjes së ankesave t’i sjellë problemet në vëmendjen e KPM-së.
Fushata përçon porosi të rëndësishme për mbrojtjen ligjore të fëmijëve dhe të të miturve, luftimin e gjuhës së urrejtjes, parandalimin e përdorimit të gjuhës fyese, promovimin e barazisë gjinore, respektimin e të drejtave individuale, mbrojtjen e të drejtës së autorit, rëndësinë e edukimit mbi mediat dhe informacionin, si dhe procedurat për paraqitjen e ankesave.
Fushata transmetohet në KTV dhe TV Most në gjuhën shqipe dhe serbe deri në fund të dhjetorit 2021.
Videot në gjuhën shqipe janë të qasshme këtu: https://bit.ly/3GVYjfW