Misioni i OSBE-së mbështetë Kosovën në luftën kundër krimeve mjedisore
Misioni i OSBE-së në Kosovë përmbylli sot trajnimin njëjavor për luftimin e krimeve mjedisore për zyrtarë policorë, prokurorë, gjyqtarë, zyrtarë komunalë dhe përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
“Krimet mjedisore, siç janë prerja e paligjshme e pyjeve ose hedhja e mbeturinave të rrezikshme, kanë ndikim në jetën tonë të përditshme, planetin dhe në të ardhmen e fëmijëve tanë. Për t’i luftuar efektshëm krimet e tilla është e nevojshme të kuptojmë natyrën e tyre, të ndërtojmë kapacitete dhe të mësojmë teknika për parandalimin e rrezikut të madh që ato paraqesin për shëndetin tonë, mjedisin dhe prosperitetin ekonomik”, tha Kilian Wahl, Zëvendësshef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Ky trajnim ka rritur njohuritë e pjesëmarrësve për identifikimin, parandalimin dhe luftimin e krimeve mjedisore. Gjithashtu, janë ngritur aftësitë e tyre për të bashkëpunuar dhe ndërmarrë veprime të përbashkëta dhe të koordinuara kundër krimeve të tilla.
Në seancën përmbyllëse të pranishmëve iu drejtuan Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, si dhe Jan-Axel Voss, Zëvendësshef i Misionit të Ambasadës Gjermane në Prishtinë, dhe Riza Shillova, nga Drejtoria për Planifikim Strategjik në Policinë e Kosovës.
“Është e rëndësishme të punojmë së bashku ngase duhet të kemi qasje të integruar për të forcuar sistemin për mbrojtjen e ambientit. Nevojiten dy qasje emergjente për të mbrojtur ambientin: e para është luftimi i krimit mjedisor dhe e dyta edukimi i gjeneratave të reja për ruajtjen e ambientit, tha Ministri Aliu.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni do të vazhdojë t’i mbështesë aktivitetet për trajtimin e krimeve mjedisore në vitin 2022.