Misioni i OSBE-së prezanton raportin “Vlerësim i themelimit, funksionimit dhe performancës së mekanizmave komunalë për pjesëmarrje dhe përfaqësim të komuniteteve”
PRISHTINË, 6 tetor 2021 – Mekanizmat komunalë për mbrojtjen e komuniteteve kanë treguar avancim gradual drejt arritjes së potencialit të tyre të plotë, me progres gradual në përmbushjen e detyrave të tyre thelbësore. Ende vazhdojnë të ekzistojnë boshllëqe në kuadrin legjislativ dhe atë të politikave por, megjithatë, avancimi i këtyre mekanizmave ka dëshmuar se mekanizmat mund të kenë ndikim pozitiv te komunitetet në të gjithë Kosovën, thuhet në raportin e Misionit të OSBE-së në Kosovë të prezantuar sot.
Raporti vlerëson katër mekanizmat kryesorë të nivelit komunal që janë themeluar për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat dhe interesat e komuniteteve në nivel komunal, përkatësisht Komitetet e Komuniteteve, Zyrat Komunale për Komunitete dhe Kthim, Nënkryetarët e Komunave për Komunitete, si dhe Nënkryetarët e Kuvendit Komunal për Komunitete. Raporti vlerëson përputhshmërinë e tyre me kuadrin ligjor dhe të politikave, si dhe përbërjen dhe performancën e tyre.
“Mbrojtja e vlerave dhe interesave të përbashkëta të komuniteteve joshumicë në nivel komunal është thelbësore për të siguruar që pjesëtarët e tyre mund të japin kontribut të theksuar për shoqërinë në tërësi. Komunat janë nyje vendimtare të qeverisjes dhe me rëndësi të madhe për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të komuniteteve, gjithashtu përmes këtyre mekanizmave, prandaj dhe ne besojmë se nevojitet një bashkëpunim më i fortë mes qeverisë dhe institucioneve komunale në krijimin dhe performancën e këtyre mekanizmave”, tha Nadica Pavlovska, Shefe e Seksionit për Komunitete në Misionin e OSBE-së në Kosovë.
Raporti rekomandon që institucionet qeveritare dhe komunale t’i forcojnë mandatet e mekanizmave komunalë për mbrojtje të komuniteteve duke bartur përcaktimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre nga dokumentet e politikave në akte nënligjore. Kjo do të bënte që ato të jenë ligjërisht të detyrueshme dhe do të forconte pronësinë dhe qëndrueshmërinë qeveritare gjatë procesit të monitorimit të krijimit dhe funksionimit të këtyre mekanizmave.
Raportin e plotë mund ta gjeni në faqen: https://www.osce.org/sq/mission-in-kosovo/499822