Deklaratë e Shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadorit Michael Davenport, në Ditën e Demokracisë
Prishtinë, 15 shtator 2021 - Me rastin e Ditës Botërore të Demokracisë, konfirmojmë mbështetjen tonë për parimin e shprehjes së vullnetit të lirë të njerëzve, qoftë përmes kutisë së votimit qoftë përmes mediave, si bazë e autoritetit të çdo forme të qeverisjes.
Zgjedhjet lokale, të cilat do të përcaktojnë qeverisjen lokale për katër vitet e ardhshme, janë vetëm një muaj larg dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë ka punuar vazhdimisht me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në përmirësimin e listave të votuesve, në bashkëpunim me Sekretariatin e KQZ-së, Agjencinë e Regjistrit Civil dhe Agjencinë Kadastrale të Kosovës.
KQZ dhe Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa janë dakorduar që t’i adresojnë rekomandimet e Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve dhe Mbretërisë së Bashkuar mbi përmirësimet e procesit zgjedhor. Gjithashtu, duhet ta theksojmë se janë 14 gra që garojnë për kryetare të komunave dhe 1,938 gra kandidate për kuvende komunale të cilat shpresojnë ta fitojnë besimin e votuesve më 17 tetor, pas një numri rekord të grave deputete në Kuvendin e Kosovës pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Dita Botërore e Demokracisë ka të bëjë edhe me lirinë e gazetarëve për ta kryer punën e tyre në mënyrë të sigurt, duke ndihmuar të rinjtë në identifikimin e lajmeve të rreme përmes fushatave dhe seminareve të edukimit mediatik, si dhe duke fuqizar gratë për ta luftuar dhunën me bazë gjinore, dukuri kjo që u rrit gjatë pandemisë COVID-19. Vitin e kaluar Misioni ynë është angazhuar në aktivitete të shumta të edukimit mediatik dhe avokoi pareshtur për krijimin e mekanizmave komunalë kundër dhunës në familje dhe financim të qëndrueshëm për strehimoret për viktimat e dhunës në familje.
Duhet të dëgjohen të gjithë zërat, qoftë në zgjedhje të lira, qoftë përmes pjesëmarrjes së publikut në procese vendimmarrëse, veçanërisht grave dhe të rinjve, për të mirën e të gjitha komuniteteve dhe për transparencë më të lartë të institucioneve. Gjatë 12 muajve të fundit, Misioni ynë ka lehtësuar aktivitete të shumta që nxisin pjesëmarrjen e publikut dhe përmirësojnë komunikimin dhe transparencën e institucioneve me publikun. Pjesëmarrja publike është gjithashtu pjesë qenësore e angazhimeve të institucioneve të sigurisë publike për të forcuar policinë në bashkësi, partneritet ky mes publikut e policisë që identifikon rreziqet e mundshme te sigurisë dhe i parandalon ato në nivelin bazë.