Misioni i OSBE-së paraqet vlerësimin e pestë gjithëpërfshirës të mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve në Kosovë
PRISHTINË, 27 korrik 2021 – Institucionet e Kosovës duhet të sigurojnë përparim të vazhdueshëm dhe të rrisin fokusin në avancimin e të drejtave të komuniteteve joshumicë, si gurthemel i ndërtimit të një shoqërie vërtet gjithëpërfshirëse, paqësore dhe të qëndrueshme, konstaton një raport i Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Botimi i pestë i Raportit vlerësues të të drejtave të komuniteteve vlerëson përparimin e shënuar nga institucionet e Kosovës në zbatimin e Konventës Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare (KKPK) të Këshillit të Evropës në fushat e dialogut ndërmjet komuniteteve, sigurisë dhe drejtësisë, gjuhës, arsimit, të drejtave socioekonomike, kulturës dhe mediave.
Raporti vë në dukje se institucionet kanë shënuar përparim në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve dhe të pjesëtarëve të tyre në pajtim me detyrimet që rrjedhin nga KKPK. Me gjithë përparimin e shënuar në disa fusha, rekomandimet e Rezolutës së korrikut 2019 për Kosovën të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës akoma vazhdojnë të vlejnë për fushat tjera.
Raporti vë gjithashtu në dukje zhvillimet pozitive të arritura gjatë periudhës katërvjeçare të vlerësimit, përfshirë integrimin e gjyqësorit, miratimin e një rregulloreje ligjore për kthimin e personave të zhvendosur, si dhe miratimin e disa dokumenteve kyçe të politikave në fushën e trashëgimisë kulturore. Hapa pozitivë janë identifikuar edhe në kuptim të efektshmërisë së Institucionit të Avokatit të Popullit dhe përpjekjeve të Qeverisë për të krijuar një kornizë gjithëpërfshirëse institucionale për lehtësimin e përfshirjes së plotë të komuniteteve romë të Kosovës dhe ashkali të Kosovës në shoqëri.
“Misioni i OSBE-së në Kosovë është i angazhuar drejtpërsëdrejti në mbështetjen e institucioneve që i kanë arritur këto rezultate konkrete. Ne do të vazhdojmë të jemi partnerë të institucioneve përkatëse në ndjekjen e rekomandimeve të paraqitura në këtë raport për t’i adresuar çështjet e identifikuara,” tha shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Michael Davenport.
“Avancimi i të drejtave të komuniteteve joshumicë është gurthemel i ndërtimit të një shoqërie vërtet gjithëpërfshirëse, paqësore dhe të qëndrueshme,” shtoi ai.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka mandat për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve, si edhe demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike.
Raporti i plotë është në dispozicion tek: https://www.osce.org/mission-in-kosovo/493675