Misioni i OSBE-së lanson raportin për zgjidhjen e kërkesave mbi të drejtat pronësore në Kosovë që nga periudha e konfliktit
PRISHTINË, 16 qershor 2020 - Misioni i OSBE-së në Kosovë lansoi sot Raportin mbi mekanizmin e shqyrtimit në masë të kërkesave për të drejtat pronësore: Përvoja e Kosovës, vlerësim i dy dekadave të trajtimit të çështjeve pronësore që kanë lindur pas vitit 1999.
Raporti analizon sfidat e Drejtorisë për Çështje Pronësore Banesore (DÇPB, 1999–2006), Agjencisë Kosovare të Pronave (AKP, 2006-2016), si dhe Agjencisë (aktuale) Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronave (AKKVP, themeluar në vitin 2016) me të cilat janë ballafaquar në përpjekjet e tyre, rezultatet që i kanë arritur dhe boshllëqet e mbetura.
Në 20 vitet e fundit këto tre agjenci kanë zgjidhur mbi 70,000 kërkesa banesore, ekonomike dhe bujqësore. Mirëpo, vështirësitë në njoftimet për palët, administrimin e pronave, administrimin e skemës së qiradhënies, rishikimin paralel të rasteve nga gjykatat, rrënimin e strukturave të paligjshme dhe kompensimin e rasteve, ishin sfida për shqyrtimin e kërkesave pronësore pas konfliktit.
"Në shoqëritë pas konfliktit me zhvillimin e sistemeve gjyqësore, gjykatat e rregullta përballen me vështirësi në shqyrtimin e numrit të madh të kërkesave pronësore. Prandaj, bashkësia ndërkombëtare krijoi organe quazi-gjyqësore dhe administrative për të ndihmuar në lehtësimin e zgjidhjes së shpejtë të këtyre kërkesave pronësore, "tha Jan Braathu, Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë.
“Adresimi i çështjes së kërkesave të pazgjidhura pronësore të lidhura me konfliktin është parakusht i domosdoshëm për të arritur dhe ruajtur stabilitetin e çdo shoqërie pas konfliktit. Sigurimi i mjeteve juridike për këto kërkesa specifike kontribuon jo vetëm në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të njeriut të palëve të prekura, por mund të ketë ndikim pozitiv edhe në procesin e pajtimit brenda shoqërisë, "shtoi ai.
Në përputhje me mandatin e tij, Misioni punon për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave pronësore të komuniteteve jo-shumicë dhe personave të zhvendosur, duke siguruar që atyre t’iu kthehen të drejtat e tyre pronësore. Misioni bashkëpunon ngushtë me institucionet përgjegjëse në Kosovë për të zhvilluar politika dhe legjislacion si dhe për t’i zbatuar ato, duke u përpjekur kështu që të sigurojë mbrojtjen e të drejtave pronësore individuale.
Raportin e plotë mund ta lexoni këtu: https://www.osce.org/sq/mission-in-kosovo/454182