Albina Avdiu: Të jesh model
Ky është storia e Albina Avdiut, pjesëtare e komunitetit ashkali nga komuna e Podujevës. Storia është pjesë e një serie artikujsh të Misionit të OSBE-së në Kosovë mbi betejat dhe arritjet e individëve të suksesshëm që i përkasin komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë. Misioni i OSBE-së punon me të gjitha komunitetet në Kosovë në mbrojtën, promovimin dhe avancimin e të drejtave të tyre.
Albina na mirëpriti në objektin e Komunës të Podujevës, ku sapo kishte përfunduar kryesimin e mbledhjes së radhës të Komitetit për Komunitete (KK).
Ndonëse vetëm 27 vjeçe, ajo është gruaja e parë e zgjedhur ndonjëherë si Kryesuese e KK-së në Podujevë. Ky komitet është organ obligativ i themeluar në kuadër të kuvendeve komunale dhe ka për mandat të promovojë të drejtat dhe interesat e komuniteteve duke siguruar se legjislacioni, politikat dhe praktikat komunale janë në përputhje me ligjet që garantojnë të drejtat e komuniteteve.
“Angazhimi im për të drejtat e komuniteteve daton që nga vitet e mia të adoleshencës”, thotë Albina. “Si vajzë e re nga komuniteti ashkali, vendosa të luftoja kundër stereotipave të krijuar për gratë e komunitetit tim si të paarsimuara dhe të interesuara thjesht vetëm për martesë të hershme. Duhej ta ndryshoja doemos këtë perceptim”.
Rëndësia e arsimimit
Braktisja e shkollimit dhe martesat e hershme vazhdojnë akoma të prekin një numër të rinjsh të komunitetit ashkali, rom dhe egjiptian të Kosovës.
“Kjo mund t'i atribuohet situatës së vështirë ekonomike, si edhe një cikli vicioz ku prindërit që kanë pasur mundësi të pakta të arsimimit i bindin fëmijët e tyre ta braktisin shkollën për të gjetur punë”, thotë Dominik Drasnar, Këshilltar i Lartë për Komunitete në Misionin e OSBE-së.
“Një çështje tjetër që duhet të adresohet janë martesat e hershme” - thotë ai.
Një studim për këtë grup i realizuar në vitet 2013-2014 gjeti se një në çdo pesë gra të reja të moshës 15-19 vjeç ishin martuar para kohe, e që ky numër lidhej drejtpërsëdrejti me nivelin e tyre të arsimimit.
Albina ka qenë gjithmonë e vendosur që t’ia ndërrojë kahjen këtij trendi. “Më së miri është të jesh shembull me veprimet tua ” - thotë ajo.
Qëllimi im është ta motivoj rininë, veçanërisht vajzat, që ta vazhdojnë shkollimin. Dua t'i frymëzoj përmes punës sime të palodhshme dhe arritjeve të mia.
Duke qenë se është rritur e rrethuar me motra e vëllezër dhe miq më të mëdhenj në moshë të cilët vijonin shkollimin e mesëm dhe planifikonin të regjistroheshin për studime universitare, Albinës nuk iu desh shumë kohë që ta kuptojë rëndësinë e arsimit.
“Doja të mësoja shumë” - thotë ajo. Megjithatë, për Albinën, “të mësosh shumë” nënkuptonte jo vetëm zhvillim dhe avancim personal, por edhe kontribut për komunitetet ashkali, rom dhe egjiptian të Kosovës.
“Që në fillim kam dashur të jem shembull për vajzat dhe djemtë tjerë, ashtu siç kishin qenë vëllezërit, motrat e miqtë e mi për mua”, thotë Albina.
Të jesh model
Albina nuk u zmbraps nga angazhimet as me kalimin e viteve. Përpos karatesë, sport ky në të cilin ajo mban rripin e zi, punës vullnetare në komunën e saj dhe vijimit të kursit në gjuhën angleze, ajo vendosi të marrë përsipër edhe një angazhim tjetër në të mirë të komuniteteve në mbarë vendin duke studiuar për drejtësi.
“Studimet në Universitetin e Prishtinës më kanë mundësuar të jem thellësisht e informuar për kornizën legjislative që ka për qëllim garantimin dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve” - thotë ajo.
“Për ta zgjeruar edhe më shumë horizontin e dijeve të mia, u regjistrova edhe në Kolegjin AAB për të studiuar gazetarinë. Sfidë shtesë” - thotë Albina.
Aktualisht, ajo punon si moderatore televizive në programin e përjavshëm “Zëri i Ashkanlijve” që transmetohet në RTK 1.
“Ky kanal më ka besuar një vend pune, por edhe më ka dhënë rolin e një ndërmjetësi në një farë mënyre. Unë adresoj nevojat e komuniteteve në audiencën time. Përpiqem t'u jap atyre gjithë informacionin e nevojshëm për çështje të caktuara. T’i orientoj në drejtimin e duhur” - thotë Albina.
Gjatë fazës së hulumtimit, para se të hartonte përmbajtjen e emisionit, Albina kishte mundësinë që informatat t’i kalonte tek redaksia e lajmeve dhe t’ua linte atyre të vazhdonin tutje punën.
Disi nuk më dukej e drejtë. Duhet ta bëja vetë, pa marrë parasysh sa e vështirë dhe sfiduese që të ishte. Detyra ime është të frymëzoj të tjerët dhe unë do të bëj më të mirën e mundshme. Këtë mund t’ua premtoj.
Rripi i zi në karate është shndërruar në rrip të zi në lidership. Të shohim se çfarë vjen më pas.