Arlinda Muqa: Nokautimi i Stereotipeve Gjinore
Kjo është storia e Arlinda Muqës, pjesëtare e komunitetit rom të Kosovës. Storia është pjesë e një serie artikujsh të Misionit të OSBE-së në Kosovë mbi betejat dhe arritjet e individëve të suksesshëm që i përkasin komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë. Misioni i OSBE-së punon me të gjitha komunitetet në Kosovë në mbrojtën, promovimin dhe avancimin e të drejtave të tyre.
Para se të zhvillohej biseda jonë, ne ishim takuar tashmë me Arlinda Muqën gjatë Panairit Rajonal të Punësimit për romët, ashkalitë dhe egjiptianët, organizuar nga Misioni i OSBE-së në Pejë në qershor të vitit të kaluar.
Arlinda është një boksiere e re amatore nga komuniteti rom dhe kur u patëm takuar për herë të parë, na kishte thënë se kishte planifikuar të aplikonte për një grant të vogël për të marrë pajisje shtesë për klubin e boksit ku stërvitej. Në atë kohë, ne nuk mund ta imagjinonim që vajza e re që qëndronte para nesh ishte fituese e shumëfishtë e medaljeve, kampione dhe një luftëtare e vërtetë. Krahas thyerjes së stereotipave gjinorë në sport, Arlinda është në vitin e saj të fundit të studimeve për drejtësi në Universitetin Haxhi Zeka në Pejë dhe vullnetare në organizata të ndryshme joqeveritare (OJQ) në qytetin e saj.
Karriera sportive
Pasi e provoi fillimisht basketbollin, në moshën 15 vjeçare, Arlinda vendosi të vazhdonte solo dhe të eksperimentonte me boksin. Kjo zgjedhje e saj nuk ishte befasi, meqenëse Arlinda është vajza e Bekim Muqës, dikur boksier i njohur dhe tani trajner dhe pronar i klubit të boksit 'Fighter’ në Pejë, ku të rinj dhe të reja nga të gjitha komunitetet stërviten së bashku.
Pasi ishte stërvitur për vetëm gjashtë muaj, Arlinda e fitoi kampionatin e boksit për femra në Kosovë. Për më tepër, ajo e mbrojti me sukses titullin e saj vitin pasues. Me gjithë mungesën e kundërshtarëve brenda Kosovës, ajo vazhdoi trajnimet në përgatitje për garat ndërkombëtare.
Puna e saj e vështirë u shpagua në tetor 2016 kur u kthye me medalje argjendi nga Kupa e Mbretëreshës (Queens Cup), një konkurs ndërkombëtar i zhvilluar në Stralsund, Gjermani.
Një trajnere dhe mentore në hije
“Unë kam një mesazh për vajzat e tjera: edhe ju mund të boksoni dhe të tejkaloni stereotipet gjinore!” thotë Arlinda. Ajo ka zgjedhur të veshë dorezat e boksit dhe të hyjë në ring, në mënyrë që t’i nxisë vajzat e tjera të jenë të guximshme. “Shumë prej tyre e filluan boksimin e më pas hoqën dorë pa u përpjekur dhe luftuar vërtetë - qoftë në kuptimin e plotë të fjalës apo dhe në kuptimin metaforik,” shpjegon ajo.
Një gjë është e sigurt: Arlinda nuk e ka ndërmend të heq dorë nga boksi së shpejti; në fakt, ajo po punon drejt një karriere profesionale në boks.
Arlinda gjithmonë ka ëndërruar të mbështesë djem dhe vajza të reja nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian në zhvillimin e tyre personal. Që nga shkolla e mesme, ajo ka qenë vullnetare për OJQ-të Roma Versitas dhe Forumi për Integrim dhe Zhvillim.
Vullnetarizmi në Roma Versitas - OJQ që punon me studentë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian - ia mundëson asaj që jo vetëm të marrë pjesë në programe edukative që luftojnë braktisjen e shkollës, por edhe t’u tregoj bashkëmoshatarëve storien e saj. Vajzat janë veçanërisht kureshtare për zgjedhjen e saj për tu bërë boksiere dhe për këmbënguljen e saj për ta praktikuar një sport që ende konsiderohet si terren i burrave.
“Vitin e kaluar unë u përzgjodha vullnetarja e vitit nga Qendra Rinore në Pejë”, na tha ajo me një buzëqeshje krenare, por me modesti, në fytyrën e saj.
Jeta mes sportit dhe arsimit
Me vetëm 21 vjet, Arlinda ka diplomë të shkollës së mesme në Artet e Aplikuara dhe së shpejti do të marrë diplomën Bachelor në Juridik.
“Do të kisha dashur të studioja Artet në Universitetin e Prishtinës, por nuk mund t'i mbuloja të gjitha shpenzimet e nevojshme,” thotë ajo.
Plani Strategjik i Arsimit në Kosovë 2017-2021 dhe Strategjia për Përfshirjen e Komuniteteve Rom dhe Ashkali në Shoqërinë e Kosovës 2017-2021 identifikojnë katër fusha prioritare që duhen adresuar për të përmirësuar gjendjen e përgjithshme të këtyre komuniteteve: arsimi, punësimi dhe mirëqenia sociale, shëndetësia, dhe banimi. Sidoqoftë, sipas Raport Vlerësimit - Zbatimi i Strategjisë për Përfshirjen e Komuniteteve Rom dhe Ashkali në Shoqërinë Kosovare në Vitin 2017, shumë pjesëtarë të rinj të këtyre komuniteteve ende përballen me vështirësi kur ndjekin arsimin e lartë. Aq më tepër kur duhet të transferohen në qytete të tjera ose të udhëtojnë, pavarësisht nga sistemi i kuotave për regjistrim në universitetet publike të studentëve nga komunitetet.
Arlinda është njëra prej tyre, por ajo nuk lejoi që pengesat ta ndalojnë. Ajo u regjistrua në universitetin e qytetit të saj të lindjes dhe vazhdoi vullnetarizmin për komunitetin e saj. Ajo së shpejti do të diplomohet dhe do të fillojë stazhin e saj në drejtësi, pa e humbur vëmendjen nga karriera e saj si boksiere profesioniste. Ajo është bërë frymëzim dhe motivim për vajzat e reja nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian përreth saj, duke marrë lëvdata të mëdha nga bashkëmoshatarët njëkohësisht.
Një luftëtare e vërtetë dhe model për shumëkë.